Presidenti Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, bën thirrje “për të mos pasur frikë nga COVID-19”

06/10/2020 19:33

Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje amerikanëve të mos “kenë frikë” nga COVID-19 pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje pas 72 orësh shtrimi në spital për virusin vdekjeprurës.

Me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ai u ngjit në shkallët ballore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, ku hoqi maskën, përshëndeti largimin e helikopterit presidencial dhe e pa e vënë maskën, hyri në Shtëpinë e Bardhë.

Më herët, ndërsa dilte nga Spitali Ushtarak Kombëtar Walter Reed, Presidenti Trump tha “Faleminderit shumë, të gjithëve”.

Kur doli nga helikopteri dhe po ecte drejt rezidencës së Shtëpisë së Bardhë, presidenti ndaloi duke u kthyer tek kamerat, dhe përshëndeti. I pyetur nga Zëri i Amerikës se si ndihej, ai u dëgjua të përgjigjej “vërtet mirë”.

Më pas në mbrëmje, ai postoi në Twitter një mesazh të regjistruar për COVID-19, ku shprehej “Mos e lejoni t’ju kontrollojë. Mos kini frikë prej tij”.
“Ne po rikthehemi, do të kthehemi në punë. Ne do të jemi përpara,” tha ai. “Mos e lejoni t’ju kontrollojë jetën. Dilni por kini kujdes”, shtoi ai.

Fushata për rizgjedhjen e zotit Trump tha se presidenti republikan, që është pas rivalit të tij Joe Biden në sondazhe, planifikon të marrë pjesë në debatin e dytë të 15 tetorit me kandidatin demokrat dhe e konfirmoi një gjë të tillë në Twitter.

Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për shyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.

Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa qenë e nevojshme, përbën kërcënim ndaj tij,” tha mjeku. “Aktualisht këtu në spital nuk po bëjmë asgjë që nuk mund ta bëjmë fare mirë në Shtëpinë e Bardhë”.

Para se të dilte nga spitali, Presidenti shkruajti në Twitter:

” Mos kini frikë nga COVID-i. Mos e lini t’ju kontrollojë jetën. Administrata Trump ka zhvilluar njohuri dhe mjekime të mrekullueshme. Ndjehem më mirë se 20 vjet më parë!” tha presidenti.

Dr. Conley, mjek i përgjithshëm dhe komandant në Marinën Ushtarake amerikane, foli për gazetarët në oborrin e spitalit, por nuk pranoi të jepte shpjegime kur u pyet ndër të tjera për gjendjen e mushkërive të presidentit. Mjeku tha se nuk mund të ofronte informacione të tilla si rezultat i rregullave për privatësinë e pacientit.

Presidenti po mjekohet me një kurë me steroide që zakonisht nuk jepet kur pacienti ka simptoma të lehta ose të moderuara të COVID-19. Ai po ashtu po merr remdesivir, një ilaç antiviral.

Mjekët e presidentit kanë thënë se kanë “optimizëm të matur” dhe se janë në gatishmëri, pasi siç u shpreh mjeku I presidentit, Dr. Conley “jemi në rrethana të panjohura pasi po e mjekojmë me ilaçe që nuk i jepen zakonisht pacientit kaq herët pas shaqjes së sëmundjes.” “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar,” tha mjeku. /VOA/

Top Channel