“Të gjitha bluzave të bardha do t’ua rrisim pagën 40% me buxhetin e vitit 2021”. Deklarata u bë nga Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të punimeve në Pediatrinë e re të QSUT-së, me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirliu deklaroi se rikonstruksioni i plotë dhe ndërtimi i godinës së re të Pediatrisë është pjesë e projektit madhor për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Eshtë një investim që pritej prej shumë vitesh, për të ofruar standardet që meritojnë mjekët por edhe që meritojnë të kenë fëmijët që trajtohen me këto shërbime. Projekti prek të gjithë pediatrinë, si godinat që i nënështrohen rehabilitimit ashtu edhe ndërtimin e godinës së re. Do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë”, tha Manastirliu.

“Eshtë një investim që nuk ka vetëm falenderimet e ditës së sotme por do të ketë falenderimin e të gjithë brezave që vijnë pas. Një investim vërtetë bashkëkohor që ne prej vitesh e kemi kërkuar”, u shpreh shefja e shërbimit të reanimacionit të Pediatrisë, prof. Mira Kola.

Ky investim madhor përfshin rikonstruksionin e plotë të Kompleksit të Spitalit Pediatrik që përbëhet nga Pediatria e Specializuar që u ndërtua rreth viteve ‘80 dhe Pediatria e Përgjithshme, e ndërtuar në vitin 1958. Projekti parashikon edhe ndërtimin e një godine të re, për urgjencën, reanimacionin e pediatrisë dhe sallat e kirurgjisë së pediatrisë, duke mundësuar një standard të ri shërbimi dhe ambjente miqësore për fëmijët si dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.

Ndërtimi i spitalit të ri të Pediatrisë në QSUT është kurorëzim i tre investimeve madhore, pjesë e projektit transformues për modernizimin e QSUT-së.

Ndërtimi i Spitalit të ri të Pediatrisë në QSUT, me vlerë 9 mln euro është një investim nga i cili përfitojnë rreth 130 mijë fëmijë që trajton ky spital reference për pediatritë në të gjithë vendin.

Top Channel