Përfundon testimi fizik për aplikantët e Patrullës të Përgjithshme, i monitoruar nga SHÇBA

06/10/2020 16:46

Ka përfunduar testimi fizik i aplikantëve për 400 studentë për Patrullë të Përgjithshme.

Në njoftimin e Akademisë së Sigurisë thuhet se ishte një proces transparent i monitoruar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe SHÇBA.

Tashmë procesi do vijojë me fazën tjetër, atë të testimit psikologjik dhe konkurrentët që janë kualifikuar në fazën tjetër do të njoftohen sipas procedurës nga Akademia e Sigurisë.

Njoftimi i Akademisë së Sigurisë

Mesditën e sotme ka përfunduar testimi fizik i aplikantëve, për 400 studentë për Patrullë të Përgjithshme.

Drejtori i Kolegjit të Policisë Ylli Vasili, gjatë një prononcimi për median, ka theksuar se për 9 ditë rresht, në ambientet e repartit Special Renea u zhvillua konkurrimi fizik, në bazë qarqesh dhe renditja e pikëve është bërë në bazë të kuotave të lira që ka në dispozicion çdo qark.

Ylli Vasili: “Ky ishte një proces transparent, me shanse të barabarta, i monitoruar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe SHÇBA.

Tashmë procesi do vijojë me fazën tjetër, atë të testimit psikologjik. I uroj gjithë fitueseve në këtë fazë, suksese në fazat e tjera dhe njëkohësisht dua të falënderoj anëtarët dhe komisionet, për përkushtimin, ndershmërinë dhe profesionalizmin e treguar në menaxhimin e kësaj faze konkurrimi”.

Konkurrentët që janë kualifikuar në fazën tjetër do të njoftohen sipas procedurës nga Akademia e Sigurisë, për vijimin e fazës së tretë, testimin psikologjik.

Top Channel