Duke theksuar se “nuk do të tolerohet asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe”, kryeministri Edi Rama tregoi më herët se Ministria e Punëve të Jashtme përgatitet te thërrasë ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë Beogradit një notë verbale.
“Ministria ka vazhduar më tutje me procesin, ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret, për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministri apo kryeministrit të Shqipërisë”, sqaroi kreu i ekzekutivit.
Pas komenteve të para polemizuese mbi pohimet e Ramës se Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës, kur tha se Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, Vulin ironizoi duke thënë se kryeministri shqiptar do të mbahet mend më shumë për çorapet sesa për idetë e tij.
Nota verbale dëshmon qartë se të tilla deklarata nuk do të tolerohen më gjatë, dhe Rama e bëri të qartë se pret që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic të kërkojë ndjesë në emër të shtetit serb.
Top Channel