Kura e presidentit Trump e pamundur për amerikanët e tjerë

06/10/2020 12:17
Presidenti Donald Trump

Nëse sëmuresh me Covid 19, normalisht nuk mund të presësh të njëjtin trajtim si presidenti Donald Trump.

Kjo është e dukshme pasi lideri i një vendi mund të marrë kujdes shtesë dhe kurën më të mirë të mundshme. Por një pjesë e trajtimit për presidentin, nuk është e disponueshme fare për publikun e gjerë.

Para se të shtrohej në spital të premten, Trump mori terapinë eksperimentale me antitrupa që mund të reduktojë nivelet e koronavirusit dhe që ka treguar rezultate premtuese në një testim me 257 pacientë.  Por trajtimi nuk ka marrë ende autorizimin nga administrata e ushqimit dhe ilaçeve.

Kompania bioteknologjike, thotë se e ka siguruar ilaçin pas një kërkese të mjekëve të Trump. Për pjesën më të madhe të njerëzve, aksesi tek një ilaç që ende nuk është aprovuar edhe me një kërkesë të ndjerë për përdorim, mund të jetë një proces i gjatë dhe sfidues.

Por, Trump e mori terapinë menjëherë pasi rezultoi pozitiv. Por ky nuk ishte avantazhi i vetëm i Trump. Përveç terapisë eksperimentale me antitrupa, Trump mori edhe Remdesivir dhe Dexamethason. E ai mund të jetë pacienti i vetëm në planet që ka marrë këtë kombinim të veçantë ilaçesh. Remdesiviri nuk ka marrë miratimin e FDA për trajtimin e covidit, por vetëm një autorizim për përdorim emergjent.

Testimet kanë treguar se një trajtim pesë ditor me Remdesivir mund të përshpejtojë shërimin e pacientëve. Ndërsa Dexamethasoni, një kortikosteroid i lirë dhe i disponueshëm, mund të reduktojë inflamacionin.

Por ai shtyp sistemin imunitar ndaj përgjithësisht nuk rekomandohet për pacientët me covid 19 në rast se situata nuk është kritike. Për të mos thënë se ndërsa shumë amerikanë stërmundohen për të bërë një test të covid 19, apo për të marrë përgjigjen pa shumë vonesa, Trump ka qenë njeriu më i testuar në Amerikë, sipas sekretares së tij të shtypit. Ai është testuar më shumë se kushdo, disa herë në ditë.

Top Channel