Në datën 14 tetor përfundon afati për të shfaqur interes për në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë ditës Këshilli i Lartë i Prokurorisë ftoi dhe inkurajoi prokurorët që plotësojnë kriteret dhe që kanë kaluar vettingun që të shfaqin interes.

Bëhet fjalë për dy vendet e shpallura vakante nga presidenti dhe kuvendi pas largimit të gjyqtarëve Fatos Lulo dhe Besnik Imeraj. Prokurori i interesuar duhet të ketë jo më pak se 15 vite në këtë detyrë dhe do të ketë mandatin e gjyqtarit kushtetues deri në 2022-shin, aq sa mandat u mbeti pa e mbyllur Lulos dhe Imerajt.

Kërkesa depozitohet pranë organit të emërtesës dhe sipas urdhëresave ligjore të reformës në drejtësi, menjëherë pas perfundimit të mandatit, ish-gjyqtari kushtetues  caktohet në një detyrë të përafërt duke u riemëruar në pozicion karriere. Aktualisht KED ka në proces verifikimi kandidatin e pestë për në GJK që është me mandat të plotë nëntëvjecar. Kurse tre të tjeret, mes të cilëve njëri do të zevendësojë gjyqaren Vitore Tushe do të zgjidhen pasi të plotësohet Gjykata e Lartë me së paku 15 anëtarë.

Mbi çështjen në fjalë ka reaguar në Twitter edhe Yuri Kim.

“KLP dha një përgjigje të mençur & të drejtë ndaj shqetësimeve legjitime mbi sigurinë e karrierës për prokurorët që po shqyrtojnë dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ne shpresojmë që kjo përgjigje të nxisë prokurorët që kanë kaluar procesin e vetingut t’i përgjigjen ndjenjës së detyrës. Shqipëria ka nevojë për ju!”

Top Channel