Hapën lokalin e natës të pezulluar për 6 muaj, në pranga dy pronarët në Fier

06/10/2020 10:11
Foto ilustruese

Dy pronarë lokalesh janë arrestuar në  Fier pasi ushtronin aktivitet me muzikë në një lokal nate në kundërshtim me rregullat e vendosura për shkak të pandemisë që së COVID-19.

Ata e kishin të pezulluar aktivitetin për një periudhë 6-mujore, por e kishin hapur duke thyer rregullat. Dy  pronarët janë A. H., 24 vjeç dhe  D. M., 47 vjeçe, banuese në Vlorë.

“Vijojnë kontrollet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Organizuan në mënyrë të përsëritur aktivitet me muzikë në një lokal nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që ishin gjobitur më parë dhe e kishin të pezulluar aktivitetin për një periudhë 6-mujore, arrestohen në flagrancë 2 pronarët e subjektit.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në fshatin Mbrostar, kanë konstatuar të hapur një subjekt (lokal nate), i cili ishte gjobitur më parë dhe i ishte pezulluar aktiviteti për një periudhë 6-mujore. Gjatë ushtrimit të kontrollit në këtë subjekt, pronarët e subjektit, shtetasi A. H. dhe shtetasja D. M. kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Rendit. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Moszbatim i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjendjes së epidemisë”, pronarët e subjektit, shtetasin A. H., 24 vjeç dhe shtetasen D. M., 47 vjeçe, banuese në Vlorë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale”, shkruan policia.

Top Channel