Gjykata Evropiane hedh poshtë reformat hungareze që prekin universitetin e Sorosit

06/10/2020 14:09

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur që, ligji për universitetet e financuara nga jashtë, të cilin Hungaria e ka përdorur për të mbyllur një universitet të themeluar nga filantropi miliarder amerikan, George Soros, është joligjor.

Sipas legjislacionit të miratuar më 2017, universitetet e financuara nga jashtë nuk mund të veprojnë në Hungari, përveç nëse ofrojnë ligjërata edhe në vendet e tyre të origjinës, dispozitë që Gjykata Evropiane e Drejtësisë, ka thënë se nuk është në përputhje me ligjin e BE-së.

Universiteti i Evropës Qendrore ka transferuar shumicën e shërbimeve të saj në Vjenë më 2018, pas një beteje të gjatë në mes të Sorosit dhe kryeministrit të së djathtës, Viktor Orban.

Soros, i cili ka lindur në Hungari, është i mbijetuar i Holokaustit, që ofron mbështetje për një varg organizatash civile përmes fondacionit të tij humanitar.

Komisioni Evropian ka dërguar Hungarinë në gjyq, pasi Budapesti më 2017, ka miratuar ligjin që u kërkon organizatave joqeveritare, të cilat fitojnë më shumë se 27,000 dollarë fonde të huaja në baza vjetore, të regjistrohen si të tilla dhe të bëjnë dallimin në publik.

Ky ligj ishte thënë se synon të rrisë transparencën e financave të organizatave joqeveritare si dhe luftimin e pastrimit të parave, andaj u ka kërkuar atyre që të publikojnë donatorët ose në të kundërtën ishte thënë se do të jenë subjekte të sanksioneve.

Kritikët thonë se kjo masë ka shënjestruar Sorosin, një kritik të ashpër të Orbanit.

Orban ka akuzuar organizatat joqeveritare të financuara nga Sorosi për ndërhyrje politike.

Soros e ka konsideruar fushatën kundër tij si “të deformuar dhe me gënjeshtra”, e cila ka për qëllim të krijojë armik të jashtëm të rremë, ashtu që të shpërqendrojë hungarezët.

Më 1989, vetë Orban ka financuar studimet e tij në Oxford, përmes një burse të ofruar nga Soros.

Top Channel