Përmbarimi prej një viti në kërkim të skrepit për prishje të objektit, kur gjen skrepin sheh paqartësi në vendimin e gjykatës.

Zyra e përmbarimi nuk zbatonte vendimin e gjykatës sepse nuk kishte skrep për prishjen e objektit. Kur u gjet skrepi, vendimi nuk u zbatua, pasi përmbaruesi dhe avokati i palës debitore panë të arsyeshme se vendimi i gjykatës kishte nevojë për saktësim.

Sipas tyre vërtet dispozitivi është lirim dhe dorëzim sendi, por në arsyetim pala debitore (zotëria që ankohet) ka pranuar në gjykatë që i ka shitur 9 m2 objekt, por për të cilin nuk ka asnjë dokument, pasi zotëria ka firmosur në një copë letër pa vlerë kur ka qenë i dehur dhe pala tjetër i ka dhënë vetëm 8 mijë lekë të vjetra. Por pavarësisht se ndodhet në arsyetim, gjykata nuk e ka konsideruar, pasi ky akt nuk ka asnjë vlerë juridike. Në këtë rast i gjithë objekti që duhet të lirohet është rreth 63 m2. Duhet shembur dhe dorëzuar pronarit të ligjshëm, zotit Bajram Hyso. Por pavarësisht se nuk ka asnjë vlerë juridike dhe dispozitivi është i qartë, sipas zyrës së përmbarimit, përmbaruesit i lind e drejta të kërkojë saktësimin e vendimit. Duke e çuar sërish çështjen në gjykatë, ku pavarësisht vendimit, pala tjetër ka të drejtën e apelit. Dhe kështu vijon sërish kalvari i proceseve gjyqësore. Ndërkohë që ky vendim akoma nuk është ekzekutuar, për këtë proces është shprehur edhe Gjykata e Lartë e cila ka rrëzuar rekursin e palës tjetër, dhe ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për lirim dhe dorëzim sendi.

Në muajin Korrik Fiks Fare trajtoi problemin e Bajram Hysos nga Vlora. Ai prej një viti sorrollatej nga zyra e përmbarimit për ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë me pretekstin që nuk kishte mjete (skrep) për të prishur objektin. Pas transmetimit u premtua që ky vendim do të ekzekutohet në datën më të afërt. Por pavarësisht kësaj, sërish nuk u ekzekutua. Në një intervistë për Fiksin, ankuesi, Bajram Hyso falenderon dhe vlerëson shumë Fiksin për punën që ka bërë deri tani për të. Sipas tij më në fund skrepi erdhi, erdhi edhe përmbarimi për ekzekutim. Të pranishëm ishin edhe pala tjetër me avokat dhe ekspertja e gjykatës Vlorë. Ai tregon se ata u bënë bashkë dhe thanë që nuk mund ta prishnin objektin, pasi në vendimin e gjykatës nuk është përcaktuar qartë se cili objekt duhet të prishet. “Unë nuk di ç’të them, ndoshta këtu luhet leku, miqësia apo ku e di unë. Unë po sorollatem gjyqeve dhe nuk po arrij dot të drejtën time” shprehet denoncuesi. Ndërkohë Bajram Hysos tregon se i ka dhënë të drejtë edhe Gjykata e Lartë që ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për ekzekutimin e vendimit, lirim dhe dorëzim sendi.

Fiks Fare kontaktoi edhe eksperten e gjykatës, Flora Fejzaj e cila thotë se u thirr nga përmbaruesi dhe se ajo e ka përcaktuar qartë në aktin ekspertimit se cila është pjesa që duhet prishur, por sipas saj gjykata nuk e ka vendosur në arsyetim apo dispozitiv. “Ka nevojë për një tjetër përcaktim, unë nuk jam juriste që të them kush duhet ta bëjë këtë. Unë jam shprehur qartë me aktin e ekspertimit” shtoi ajo.

Përmbarimit ju desh 1 vit që të zbulonte se vendimi ishte i paqartë, pasi një vit kërkoi skrepin për ta prishur.
Gazetarët intervistuan edhe kryetarin e Zyrës së Përmbarimit Vlorë, Fitim Koçiaj, i cili thotë se një vendim unifikues i Gjykatës të Lartë i jep atij të drejtës që përveç dispozitivit të shikojë edhe arsyetimin. Sipas tij nuk është shprehur qartë gjykata se cila pjesë do shembur. Sipas tij pala tjetër pretendon se i ka blerë 9 m2 objekt, situatë që është pranuar nga të dyja palët në gjykatë. Ai thotë që ligji i jep atij të drejtën të kërkojë saktësimin e vendimit për sa kohë nuk është i qartë. Sipas tij procesi ka nisur dhe duhet të përfundojë shpejt. Palët kanë të drejtën e apelimit dhe kjo sipas tij nuk është vonesë me dashje. Bajram Hyso thotë se e ka pranuar këtë shitje në gjykatë, të bërë kundrejt mashtrimit kur ai ishte në gjendje të dehur para viteve 2000. “Më ka bërë të firmos në një letër dore për 8 mijë lekë të vjetra.Nuk ka asnjë kontratë të firmosur para noterit për këtë, edhe atë që ka me shkrim dore e ka fotokopje, ndaj gjykata nuk e mori parasysh” përfundoi ai.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel