Covid-19 në vend/ Manastirliu: Mbështetje për të gjithë profesionistët e shëndetit, rritja e pagave 40% premtim i mbajtur

06/10/2020 16:40

“Situata në Shqipëri në momentin që flasim paraqitet e qendrueshme për nga pikëmaja e rasteve të konfirmuara dhe e rasteve që trajtohen në strukturat tona spitalore, por jemi duke u përgatitur për përballimin e një rritje të mundshme të të prekurve, me disa skenarë”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë seancës online të Komisionit të Punës, Çeshtjeve Sociale dhe Shëndetësisë, për situatën e shkaktuar nga Covid19 dhe masat e marra për përballimin e epidemisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj tha se janë marrë masat për t’iu përgjigjur skenareve nëse do të ketë flukse në rritje të rasteve, duke informuar se krahas 4 spitaleve Covid që tashmë janë gati, do të jenë dhe spitalet rajonale që do të përfshihen në rast se do të jetë e nevojshme.

“Kemi vlerësuar disa skenarë të tjerë për t’iu përgjigjur skenarëve nëse do kemi flukse në rritje. Në skenarët tanë kemi një shtim të kapacitete të shtretërve në rast të rritjes së pacientëvë që do të kërkojnë trajtim spitalor. Në skenarin e parë do të përfshihen spitalret rajonalë në Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Shkodër. Në skenarin e dytë përfshihen spitalet rajonale të Beratit, Lezhës dhe Fierit. Në skenarin e tretë përfshihen spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës saj Manastirliu informoi Komisionin se pacientët me Covid19 të shtruar në spitalet Covid po marrin të njëjtin trajtim, njësoj si në vendet të tjera të Botës.

“Me fonde të alokuara nga qeveria shqiptare dhe përmes instrumentit të përbashkët të prokurimit të Bashkimit Europian, kemi siguruar remdisivirin, një medikamet tjetër për trajtimin e pacientëve me Covid19 dhe me fondet e qeverisë do të vijë në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se do të vijojë forcimi I kapaciteteve me qëllim kufizimin e përhapjes së infeksionit.

“Kemi rritur testimet vazhdimisht. Nga muaji Qershor ku mesatarja mujore ka qenë 8800 testime, kurse tani kemi mbi 24 mijë testime gjatë Shtatorit dhe do vijojmë me rritjet e testimeve për gjurmimin, identifikim, hetimin, izolimin e rasteve. Por sjellja individuale është përcaktuaese në kufizimin e përhapjes së infeksionit”, bëri me dije Manastirliu në lidhje me rritjen e testimeve, ndërkohë që shtoi se është rritur me 30 % numri i epidemiologëvë për periudhenë vjeshtë-dimër.

Duke theksuar planin e vjeshtë-dimrit për përballimin e situatës, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë marrë masat për vaksinimin e grupeve të riskut.

“Është punuar hershëm për të siguruar vaksinimin falas për grupet e riskuara. Prej datës 30 Shtator kemi filluar vaksninim e grupeve të riskuara, me personelin shëndetësor dhe më pas sipas kalendrit të ISHP, do të vijojë vaksnimi me grupet e tjera. Janë 368 mijë vaksina të cilat janë blerë për t’u ofruar grupeve të riskuara, si të sëmurët kronikë, personel shëndetësor, mësues, kujdestarë, eduktarë, fëmijë 2-5 vjeç, etj”, bëri me dije ministrja.

Manastirliu gjatë fjalës saj në Komision nuk la pa përmendur edhe mbështetjen që qeveria shqiptare po i jep personelit shëndetësor përmes bonusit dhe së fundmi rritjes së pagave me 40 % që nga 1 Janari i vitit 2020.

“Bonusi për mjekët, infermierët, epidemiologët, laborantët, personelin ndihmës në strukturat tona të shëndetësisë qoftë në spitalet Covid, apo struktura të tjera, sipas angazhimit, do vijojë pa ndërprerje: 1000 euro për mjekët dhe infermierët dhe 500 euro për stafin mbështetës. Kryeministri sot ka deklaruar rritjen e pagave nga viti i ardhshëm 40% për mjekët dhe infermierët në sistemin shëndetësor. Kjo është një mbështetje konkrete dhe premtim i mbajtur nga qeveria për më shumë mbështetje për profesionistët e shëndetit, të cilët meritojnë respekt të jashtëzakonshëm për gjithë punë e tyre”, tha Manastirliu.

Top Channel