“A ndikon heqja e tatim fitimit në arkën e shtetit?” Rama: Efekti i konsiderueshëm, por shteti e merr përsipër

06/10/2020 14:48
Kryeministri Edi Rama

Pas vendimit të heqjes së TVSH-së dhe tatim-fitimit për biznesin e vogël, gazetarja e Top Channel, Genta Dobra, gjatë konferencës së ditës së sotme pyeti kryeministrin Edi Rama nëse kjo do të ndikonte në arkën e shtetit.

Ai tha se efekti në buxhetin e shtetit është i konsiderueshëm, por ka më shumë efekte pozitive se sa negative sepse kjo do t’i jepte më shumë hov biznesit të vogël dhe nuk do të përdorej më nga ai i madh.

“Të dyja garancitë sovrane po funksionojnë më së miri. Mund të zgjasë por sot askush nuk është i penguar që të punojë, askush nuk është i penguar që të bëjë më të mirën. Edhe një javë do të ishte shkatërruese për ne. Për sa i përket biznesit të vogël është e ligjëruar tashmë. Efekti në buxhet është i konsiderueshëm por besojmë që efekti anë punësim do të jetë më i konsiderueshëm, kështu që shteti e merr përsipër dhe biznesi i vogël merr një hov më shumë në vendin e vet. Është afro 40 milionë dollarë, por mund të vijojë. Çlirimi i biznesit të vogël do të ndihmojë formalizmin e biznesit tjetër, do ta heqë pjesën e përdorjes nga të mëdhenjtë ose për të fshehur para. Besojmë shumë që do të kemi më tepër se 40 milionë nga të mëdhenjtë”, tha Rama.

Top Channel