Parisi do të mbyllë të gjitha baret plotësisht, nga e marta ndërsa qeveria franceze rrit alarmin për koronavirusin në qytet në maksimum pas një periudhe rritjeje të vazhdueshme.
Detajet e plota do të njoftohen gjatë ditës dhe kufizimet do të zgjasin për të paktën dy javë, njoftoi zyra e kryeministrit Jean Castex. Të dielën, Franca raportoi 12565 raste të reja të covid 19. Kjo vjen pasi qyteti i Marsejës mbylli baret dhe restorantet javën e kaluar. Niveli maksimal i rrezikut në Francë, hyn në fuqi kur shkalla e infektimeve në një lokalitet kapërcen 250 për 100 mijë banorë dhe të paktën 30 për qind e shtretërve në terapi intensive janë të zënë nga pacientë me covid 19.
Këto masa, ta domosdoshme për të luftuar përhapjen e virusit, do të aplikohen në Paris dhe tre rajone të tjera përreth tij për dy javë – tha zyra e kryeministrit. Restorantet në qytet duhet të marrin masa të reja sanitare në mënyrë që të rihapen dhe leksionet në universitete duhet të mbahen me auditorë gjysmë të mbushur. Por restorantet dhe lokalet që shërbejnë ushqim dhe alkool mund të qëndrojnë të hapura për sa kohë që ato regjistrojnë detajet e kontakteve nga klientët dhe mbyllin dyert në orën 22:00.
Ndërkohë puna nga shtëpia duhet bërë prioritet më shumë se kurrë – thuhet në deklaratë. Franca është përballur me një rritje infeksionesh që nga fundi i gushtit. Qeveria thotë se nuk do të urdhërojë një tjetër izolim por do të marrë masa më të ashpra në qytetet ku virusi është në qarkullim aktiv.
Top Channel