“Rama mashtroi”, Rudina Hajdari sulmon kolegët e opozitës që votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor

05/10/2020 14:12

Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj jashtë Kuvendit, foli me tone të ashpra kundër mazhorancës që sot miratoi në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhore.

Hajdari foli ashpër ndaj kolegëve të saj opozitarë, që dhanë sot votën në Kuvend, duke thënë se ata ndodhen rastësisht në Kuvend.

“Këtu, opozitarët kanë ardhur rastësisht. Unë mbaj përgjegjësi për votën time, për atë që kam luftuar nga fillimi deri në fund. Unë kam bërë vetëm një koalicion, atë me shqiptarët. Unë nuk jam këtu për pazare. Kryeministri po fliste për pazare. Po të dëgjonit me vëmendje nuk kishte asgjë në fjalët e tij që të kishte të bënte me shqiptarët”, tha Hajdari.

Më tej, deputetja deklaroi se u përpoq me të gjitha mënyrat të pengojë miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, duke thënë se ai është një fars.

“Ju e patë që unë ja bllokova foltoren sot kryeministrit, sepse shpreha revoltën që kanë shqiptarët sot. Ai ishte personi që bëri premtimin se do t’i rikthente sovranitetin popullit, duke hapur listat. Ai nuk e bëri këtë, por vuri mbi interesat e të gjithë shqiptarëve interesat e një grupi njerëzish. Ai arriti të vërë interesat e njerëzve që përmendi edhe vetë, mbi interesat e shqiptarëve. Unë dua t’i tregoj qytetarëve sot se u përpoqa me të gjitha mënyrat për të ndaluar këtë proces fals. Ndaj e bllokova foltoren, u përpoqa të shpreh që kryeministri po bënte dhe një mashtrim tjetër ndaj shqiptarëve dhe po i shërbente një grupi njerëzish. Ju e patë fare mirë që formula që ata sollën ishte një formulë mashtrimi për të mbajtur pushtetin”, shtoi deputetja.

Top Channel