Presidentja e komisionit evropian, Ursula Von Der Leyen, është në vetëizolim pasi mori pjesë në një takim në të cilin ishte i pranishëm një person që më pas kishte rezultuar pozitiv për koronavirus. Njoftimin e dha vetë ajo në twitter.
Von der Leyen tha se kishte rezultuar negative për virusin javën e kaluar ndërkohë që i është nënshtruar testimit sërish të hënën.
“U informova se kisha marrë pjesë në një takim të martën e kaluar, në të cilin kishte qenë i pranishëm edhe një person që një ditë më parë rezultoi pozitiv për covid 19. Në pajtim me rregullat në fuqi, unë po vetëizolohem deri mëngjesin e nesërm. Unë rezultova negative të enjten dhe jam testuar sërish sot” – shkruante ajo në twitter. Njoftimi i von der leyen vjen ndërsa rastet e koronavirusit janë në rritje në evropë me kufizime dhe izolime lokale që janë rikthyer në vendet në kontinent. Më herët, edhe presidenti i këshillit evropian Charles Michel u vendos në vetëizolim duke cuar edhe në shtyrjen e një samiti të liderëve të BE-së pasi një truprojë e tij ishte prekur nga koronavirusi. Ai doli nga vetëizolimi pas testit negativ.
Top Channel