Karantina luksoze! Pishina private e vila të bukura në Tajlandë

05/10/2020 16:58

Mirë se vini në karantinën me pesë yje në Tajlandë, ku turistët e krimbur në para mund të jetojnë në luks ndërsa i binden disa prej masave më strikte anti covid në botë.

Në resortin “The Senses” që sheh mbi Gjirin Patong në Puket, 16 vila janë përgatitur posaçërisht për mysafirë në karantinë. Vilat, prej 220 metrash katrorë, janë ridizajnuar duke zhdukur sipërfaqet e mbuluara me pëlhura për ta bërë dezinfektimin më të lehtë, ndërsa kamera sigurie janë instaluar në hyrje. Punonjësit po ashtu janë trajnuar në një spital për të dalluar infektimet dhe për të përdorur pajisjet e mbrojtjes personale për të shërbyer vaktet në dhomë. Mysafirët i pret një pishinë private gjigante, ushqime gourmet dhe dy kontrolle temperature në ditë.

Pasi ndaloi vizitorët për gjashtë muaj, vendi që mbështetet shumë tek turizmi, por rihapet për një numër të vogël pushuesish, me grupin e parë që do të mbërrijë në Phuket, një ishull popullor, në javët e ardhshme. Por, përpara se të shijojnë plazhet, 300 turistë nga Kina dhe Skandinavia do të duhet të kalojnë 14 ditë në karantinë të detyrueshme, përfshirë dy teste koronavirusi, mbikqyrur nga një mori mjekësh dhe rojash sigurie.

Karantina luksoze sidoqoftë, nuk është aspak e lirë. Izolimi në The Senses, varion nga 5300 deri në 18700 dollarë për një familje prej katër personash. Nëse modeli i Phuketit do të rezultojë i suksesshëm, qeveria do të përpiqet ta aplikojë edhe në pjesën tjetër të vendit. Pasi vizitorët të përfundojnë karantinën, ata mund të qëndrojnë dhe të udhëtojnë lirisht nga tre deri në nëntë muaj në vend, me një vizë të posacme të krijuar për të kthyer në jetë turizmin.

Top Channel