Çmimi Nobel i mjekësisë i shkon zbuluesve të virusit Hepatitis C

05/10/2020 21:06

Tre shkencëtarët që zbuluan virusin Hepatitis C kanë fituar çmimin Nobel të Mjekësisë e Fiziologjisë për vitin 2020.

Fituesit ishin britaniku Michael Houghton dhe studiuesit amerikanë Harvey Alter e Charles Rice.

Komisioni i çmimeve Nobel tha se zbulimi i tyre rrjedhimisht ka shpëtuar miliona jetë.

Ky virus është shkaku më i zakonshëm i kancerit të mëlcisë dhe arsyeja kryesore përse njerëzit kanë nevojë për transplant mëlçie.

Në vitet 1960-të kishte një shqetësim të gjerë se njerëzit që merrnin gjak të dhuruar mund të infektoheshin me hepatit kronik (inflamacion të mëlçisë) prej një sëmundjeje të panjohur.

Komiteti Nobel tha se asokohe transfuzioni i gjakut ishte një lloj “roulete ruse”.

Por testet aktuale sensitive të gjakut kanë sjellë eliminimin e këtyre rasteve në shumë vende të botës.

“Për herë të parë në histori sëmundja mund të kurohet, duke shtuar shpresën për çrrënjosjen e Hepatitis C nëpër botë,” tha komisioni.

Në botë ka aktualisht 70 milionë njerëz që jetojnë me virusin, i cili vret rreth 400,000 njerëz në vit.

Viruset Hepatitis A e Hepatitis B janë zbuluar në mesin e viteve 1960-të.

Prof Harvey Alter, duke studiuar tranfuzionin e pacientëve në institutin e shëndetit publik në SHBA në 1972, demonstroi se aty kishte një tjetër infeksion që funksiononte, pasi pacientët sëmureshin edhe pasi merrnin gjakun e dhuruar.

Ai tregoi se dhënia e gjakut nga pacientët te shimpazetë i bënte këto të fundit të merrnin sëmundjen.

Sëmundja misterioze nisi të njihej si hepatiti “non-A, non-B” dhe nisi puna për identifikimin e saj.

Prof Michael Houghton arriti të izolojë një sekuencë gjenetike të virusit në 1989, kur dhe u zbulua se kishim të bënim me një flavi-virus që u quajt Hepatitis C.

Prof Houghton, tashmë në University of Alberta në Kanada, tha për BBC: “Asokohe kishim shumë mjete të kufizuara dhe ishte si të kërkoje gjilperën në kashtë”.

“Sasia e virusit prezente në gjak e mëlçi ishte shumë e vogël dhe ne provuam 30 apo 40 qasje metodologjike gjatë shtatë viteve, derisa më në fund një prej tyre funksionoi”.

FOTO GALERI
2/3
Në vitet 1960-të kishte një shqetësim të gjerë se njerëzit që merrnin gjak të dhuruar mund të infektoheshin me hepatit kronik (inflamacion të mëlçisë) prej një sëmundjeje të panjohur.

Top Channel