Nga guri i bardhë, në bronz/ Pas gjysmë shekulli skulptori po punon veprën e Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës

04/10/2020 20:47

Një skulpturë masive është duke marrë jetë pak nga pak çdo ditë në studion e mjeshtrit të skulpturës Gori Kostaqi.

Silueta e heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima është e njohur për këdo jo vetëm në Gjirokastër. Megjithëse në vështirësi me lëvizjen dhe komunikimin për shkak të arsyeve shëndetësore skulptori po e ripunon veprën pas gati 50 viteve këtë herë vetëm me dorën e majtë dhe shpreson që vepra e re në bronz të zëvendësojë të vjetrën skalitur në gur të bardhë gëlqeror që është dëmtuar seriozisht nga koha.

Për mjeshtrin Gori Kostaqi rikthimi tek arti duke u ushtruar përditë është rikthim tek jeta dhe normaliteti.

Bashkëshortja e skulptorit Andromahi tregon se rrugëtimi për tu rikthyer ka qenë i gjatë dhe i vështirë por vullneti dhe dëshira për të punuar është duke krijuar serinë e veprave “ndryshe”.

Që prej vitit 1964 Gori Kostaqi është autor i më shumë se 100 veprave në skulpturë të punuara në gur, dru, mermer dhe bronx.  Disa prej tyre dekorojnë hapësira publike siç është vepra “ Festivalistët” apo “Lufta e Mashkullorës” ndërsa shumë vepra janë vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Top Channel