Meta: Shqiptarët në referendum/ PD dhe LSI: të mos votohen ndryshimet në kod, opozita do të fitojë zgjedhjet

04/10/2020 19:51

24 orë para miratimit në Parlament  të kodit  elektoral, Presidenti  i kërkoi  Kryeministrit të tërhiqet nga ndryshimet e njëanshme. Ilir Meta e krahasoi qeverinë  me tiraninë duke e paralajmëruar se nëse shkel marrëveshjen e  5 qershorit,  përballja  do të jetë me popullin.

Në rrjetet sociale, Kryetari i shtetit  e këshilloi Kryeministrin  të mos dëgjojë bandat dhe oligarkët ndërsa  nxori  nga arkivat një video të 20 viteve më parë ku Rama lavdëronte  Metën asokohe Kryeministër.

Në të  njëjtën linjë me kryetarin e shtetit, Partia Demokratike  dhe Lëvizja  Socialiste për Integrim akuzuan Kryeministrin   për shkelje të marrëveshjes politike për përfitime elektorale. Por,  edhe pse rregullat e  garës po ndryshohen pa konsensusin e saj PD dhe LSI garantojnë  se nuk do i braktisin  zgjedhjet.

Edhe pse me vonesë, opozitarët ju përgjigjen sfidës së socialistëve  për të treguar një model europian  sistemi i cili lejon koalicionet e përbëra me lista të hapura.

Në vlerësimin e opozitës joparlamentare ndryshimet e kodit bien ndesh me rekomandimet e OSBE-ODIHR, ndërsa shpresojnë në ndërgjegjen e deputeteve të dalë prej listave të tyre për të bllokuar kalimin e  ndryshimeve në parlament.

 

 

 

 

 

 

Top Channel