U ndëshkua nga Bashkimi Europian, Bjellorusia sanksione bllokut

03/10/2020 03:00

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, kapërcyen një ngërç diplomatik të premten dhe vendosën sanksione ndaj Bjellorusisë pas disa orësh bisedimesh të nivelit të lartë. Ata siguruan gjithashtu Qipron se do të ndëshkonin edhe Turqinë nëse vazhdon eksplorimin për naftë dhe gaz në pjesë të debatueshme të Mesdheut.

Marrëveshja për sanksione kundër 40 zyrtarëve të akuzuar se kishin manipuluar zgjedhjet presidenciale të gushtit, do të thotë se Bashkimi Evropian do ta mbajë premtimin për të mbështetur protestuesit pro-demokracisë në Minsk dhe të rifitojë besueshmërinë pavarësisht iu deshën disa javë që të vepronte.

Ndërkohë Ministria e Jashtme e Bjellorusisë u kundërpërgjigj ndaj sanksioneve të premten, duke thënë se kishte hartuar një listë me emrat e personave që do ndalohen të hyjnë në vend. Ministria tha se lista nuk do të bëhej publike ndërkohë që Minsku ka anuluar edhe akreditimet e gazetarëve të huaj.

Ndërsa Britania dhe Kanadaja kanë vendosur sanksione ndaj Minskut më herët, diplomatët thonë se ngecja në BE lidhur me to, ka dëmtuar besueshmërinë në politikën e jashtme të bllokut.

Qiproja kishte bllokuar veprimin kundër Bjellorusisë për një muaj, duke këmbëngulur që të vendosen sanksione ndaj Turqisë për kërkime për naftë dhe gaz përgjatë brigjeve të ishullit Mesdhetar. Gjermania nuk ishte e prirur për një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë, pasi druhej se do të pengonte përpjekjet për të ulur tensionet me Greqinë.

Top Channel