Presidenti Donald Trump, është dërguar në spital pasi rezultoi pozitiv për koronavirus.
Mjeku i tij tha se Trump ishte i lodhur por në humor të mirë dhe se nuk kishte nevojë për oksigjen. Sidoqoftë ai do të qëndrojë në spital për ditët në vijim. Trump është trajtuar deri më tani me një injeksion ilaci eksperimental dhe mjekimin antiviral Remdesivir pasi ai dhe zonja e parë, Melania Trump, rezultuan pozitivë për covid 19. Në një video 18 sekondëshe të postuar në Tëitter, vetë trump tha:
“Unë mendoj se jam mirë. Por do të sigurohemi që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. Zonja e parë është shumë mirë. Ju falenderoj të gjithëve”, shkruan Trump.
Ndërkohë, lista e personave të tjerë që kanë rezultuar pozitivë, përreth Trumpit, përfshin Hope Hicks, që besohet se është e para që shfaqi simptoma. Senatorët republikanë Mike Lee dhe Thom Tillis po ashtu kanë rezultuar pozitivë. Të dy ata ishin të pranishëm në ceremoninë e nominimit të gjykatëses Amy Coney Barret për Gjykatën Supreme që u mbajt në Shtëpinë e Bardhë ku shumë të ftuar janë parë pa maska dhe duke mos ruajtur distancën sociale. Mosha dhe pesha e Trump, e vendosin atë në kategorinë më të rrezikuar nga covid 19, pavarësisht se për momentin mjekët thonë se ai është mirë.
E ndërsa Trump është në spital, vëmendja është kthyer nga zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili është i dyti në radhë në zyrën ovale, nëse presidenti bëhet fizikisht i paaftë. Ky i fundit ka rezultuar negativ për covid 19 të premten, ashtu si edhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e treta në radhë për të marrë postin e presidentit pas Pence.
Pas ekzaktësisht një muaji, Trump përballet me Joe Biden në zgjedhjet presidenciale dhe shumë pikëpyetje janë ngritur tashmë për fushatën e mbetur por edhe për vetë procesin.
Top Channel