Trump mori një “koktej eksperimental antitrupash”/ Për çfarë bëhet fjalë?

03/10/2020 16:19

Presidenti Trump është shtruar në qendrën spitalore të ushtrisë amerikane “Walter Reed” pranë Uashingtonit për trajtim mjekësor kundër koronavirusit, ka njoftuar më herët Shtëpia e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke njoftuar se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital, bazuar në rekomandimet e mjekut.

“Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës”, tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.

Ndërkohë, më herët të premten, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti mori një dozë intravenoze antitrupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitaminë D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë, shkruan VOA.

Presidenti Donald Trump “vazhdon të jetë i këputur, por (është) me humor të mirë”, pasi u trajtua me një koktej eksperimental antitrupash ndaj COVID-19, tha mjeku.

REGN-COV2, ilaçi i kompanisë Regeneron, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si antitrupa monoklonale – kopje të prodhuara të antitrupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.

Kjo teknikë po përdoret gjerësisht për trajtimin e një sërë sëmundjesh, shkruan më tej VOA. Deri më tani ka vetëm të dhëna të kufizuara për antitrupat e COVID-19, por kreu i departamentit për sëmundjet infektive Dr. Anthony Fauci është ndër personat që kanë thënë se është premtuese.

Kompania Regeneron njoftoi këtë javë rezultate testimesh që tregojnë se ilaçi i saj me antitrupa përmirësoi simptomat e pacientëve me COVID-19 që nuk janë shtruar në spital, pa asnjë efekt serioz anësor dhe njoftoi se synon të hyjë në bisedime me Agjensinë e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të marrë autorizim për përdorim emergjence.

Top Channel