Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, më 2 tetor vendosën sanksione ndaj zyrtarëve të Bjellorusisë, përgjegjës për mashtrimet në zgjedhjet presidenciale të gushtit dhe goditjes brutale ndaj protestuesve dhe anëtarëve të opozitës.

Bjellorusia ka akuzuar Bashkimin Evropian për vendosjen e “masës ndëshkuese” ndaj Bjellorusisë, sepse, sipas tyre, “nuk ishte në përputhje me një sërë kërkesash ultimatumi që asnjë shtet sovran i vetë-respektuar nuk do të plotësonte. ”

Pas gati gjashtë javësh të përplasjeve diplomatike, udhëheqësit e BE-së kapërcyen një ngërç të krijuar nga Qiproja dhe ranë dakord në një samit në Bruksel më 2 tetor mbi sanksionet kundër 40 zyrtarëve bjellorusë.

Udhëheqësit gjithashtu nxitën krahun ekzekutiv të BE-së, Komisionin Evropian, “të përgatisë një plan gjithëpërfshirës të mbështetjes ekonomike për Bjellorusinë demokratike”.

Sanksionet e BE-së prekin zyrtarët e Bjellorusisë në Ministrinë e Brendshme, policinë dhe shërbimet e sigurisë për dhunën ndaj protestuesve dhe opozitës, si dhe zyrtarë zgjedhorë që fajësohen për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 gushtit që i dhanë Alyaksandr Lukashenkas një mandat të gjashtë si president.

Lukashenka nuk është në listën e sanksioneve, por diplomatët e BE-së kanë thënë se ai mund të shtohet në një datë të mëvonshme. Në një lëvizje të koordinuar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tetë zyrtarëve bjellorusë, përfshirë ministrin e Brendshëm, tha Departamenti i Thesarit.

Bjellorusia është përballur me protesta të mëdha që nga zgjedhjet e kontestuara presidenciale të gushtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA