Njëzet e shtatë shtete amerikane nga 50 gjithsej pësuan një rritje të infeksioneve të reja me COVID-19 gjatë muajit shtator. Sipas një analize të agjencisë Reuters që bën një krahasim me situatën që paraqitej një muaj më parë (gusht) rritja më e madhe u shënua në shtetin e Uiskonsit prej 111 për qind.
Shtetet qendrore amerikane si Dakota e Veriut ajo e Jugut dhe Uiskonsin shënuan një rritje të rasteve prej më shumë se 50 për qind nga muaji në muaji, ashtu sikurse Montana, Jutah, Virxhinia Perëndimore dhe Uajoming. Illinoi shënoi rritjen më të vogël mes 27 shteteve, me 5 për qind nga gushti në shtator. Të vetmet shtete të këtij rajoni ku infeksionet e reja pësuan rënie ishin Ohajo dhe Indiana.
Shtetet e Bashkuara raportuan 1.18 milionë raste të reja në shtator krahasuar me 1.41 milionë në gusht. Në total në rang vendi, numri i infeksioneve arriti në 7.26 milionë në shtator krahasuar me 6.05 milionë në fund të gushtit, një rritje prej 19 për qind. Mes shteteve ku infeksionet pësuan rënie nga gushti në shtator është Kalifornia, që shënoi rënien më të madhe me 50 për qind, ndjekur nga Nevada me 49 për qind dhe Florida me 47 për qind. Ndërkohë më 25 shtator Florida njoftoi heqjen e të gjitha kufizimeve ndaj bizneseve, duke lejuar baret e restorantet të funksionojnë me kapacitet të plotë.
Shumë biznese në të gjithë Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zbatojnë masa drejt reduktimit të kostove në kushtet kur kufizimet për shkak të pandemisë u kanë ulur fitimet. Kompania Walt Disney Co njoftoi të martën se do të largojë nga puna afërsisht 28 mijë punonjës, kryesisht në parqet e saj tematike, ku numri i vizitorëve ka rënë për shkak të pandemisë, veçanërisht në Kaliforni, ku Disneyland vazhdon të jetë i mbyllur.
Njëzet e një shtete raportuan një numër më të madh vdekjesh në shtator krahasuar me gushtin, me përqindjen më të madhe të shënuar në shtetet e Dakotës së Veriut atë të Jugut, Uiskonsin dhe Uajoming. Shtetet e Bashkuara raportuan 22,300 vdekje më shumë në shtator krahasuar me 28,700 në gusht, duke e çuar numrin total të vdekjeve në vend në mbi 207,000. Numri i pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 ra me 15 për qind në shtator krahasuar me fundin e gushtin që shënoi rreth 30,000 shtrime në spital. Kalifornia dhe Teksasi shënuan numrin më të lartë të pacientëve të shtruar me mbi 3,000 secili. Në Vermont shtatori u mbyll me vetëm një pacient të shtruar në spital./VOA
Top Channel