Rriten infektimet/ Parisi rrezikon kthimin në izolim

03/10/2020 02:15

Parisi rrezikon të kthehet në izolim javën e ardhshme pasi qeveria franceze tha se pandemia e koronavirusit po përkeqësohej në kryeqytet. Prej tre ditësh, Parisi e ka kaluar kufirin që e vendos atë në kategorinë e rrezikut maksimal – tha ministri francez i shëndetësisë, Olivier Veran. Niveli i rrezikut maksimal arrihet kur shkalla e infektimeve arrin në 250 për 100 mijë njerëz, të paktën 30 për qind e shtretërve në terapi intensive janë të zënë nga pacientë me koronavirus dhe infektimet mes të moshuarve kalojnë 100 për 100 mijë banorë.

Rajoni i Parisit i ka përmbushur dy kriteret e fundit. Veran tha se nëse situata do të vazhdonte në të njëjtin drejtim, në ditët në vijim, autoritetet nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse ta vendosin Parisin dhe periferitë e tij në kategorinë e rrezikut maksimal duke filluar nga e hëna.

Ne do të rishohim të dhënat të dielën, me kryebashkiakun e Parisit dhe zyrtarët e zgjedhur – shtoi ai. Marseja dhe rajoni i Guadeloupes, janë aktualisht zona të rrezikut maksimal, ç’ka ka bërë që baret dhe restorantet të mbyllen. Sipas ministrisë franceze të shëndetësisë, ky nivel alarmi kërkon edhe mbylljen e të gjitha ambjenteve të tjera si kinema, muze etj nëse nuk kanë protokolle strikte dhe të respektuara shëndetësore si edhe mbylljen e mundshme të zonave pranë plazheve dhe liqeneve.

Niveli i vetëm më i lartë i alarmit është gjendja e emergjencës kombëtare. Shumë biznese në Paris ndërkohë druhen për pasojat afatgjata të mbylljes së aktivitetit të tyre dhe kanë protestuar zhurmshëm kundër kufizimeve aktuale.

Aktualisht në Paris janë ndaluar tubimet e mbi 10 personave në një vend dhe nga e hëna baret mbuyllen në orën 10 të mbrëmjes. Maskat janë të detyrueshme në hapësirat e brendshme. Nëse Parisi kthehet në izolim, ai do të bë het kryeqyteti i dytë evropian pas Madridit që e bën këtë. Qeveria spanjolle e ka vendosur Madridin në izolim me njerëzit që nuk mund të dalin apo të hyjnë në zonë.

Top Channel