Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar planet për ligje më të ashpra për të luftuar atë që ai e quajti separatizëm islamist dhe mbrojtur vlerat laike. Në një fjalim, ai tha se një pakicë e rreth 6 milionë myslimanëve të Francës rrezikojnë të krijojnë një anti-shoqëri.
Propozimet e tij, përfshijnë edhe mbikqyrje më strikte të arsimit dhe kontrollit të financimeve të huaja për xhamitë. Ai ka qenë nën presion për të adresuar islamizmin radikal në mesin e frikës për sigurinë. Por komentet e tij janë dënuar nga disa aktivistë myslimanë, që e akuzuan atë se po përpiqet të shtypë islamin në vend. Bazuar në parimet strikte të laicizmit në Francë, qeveria është e ndarë me ligj nga institucionet fetare.
Ideja është që njerëz të besimeve dhe feve të ndryshme, janë të barabartë para ligjit. Vendi po ashtu ka edhe popullatën më të madhe të myslimanëve në Evropën perëndimore. Shumë ankohen se autoritetet e shfrytëzojnë laicizmin për t’i vendosur ata nën shënjestër, p.sh duke ndaluar perçen. Por, të premten, Macron tha se islami radikal është një rrezik për Francën sepse i vendos ligjet e veta mbi të tjerën dhe shpesh rezulton në krijimin e një anti-shoqërie.
Ai tha se kjo formë besimi shpesh bën që fëmijët të mbahen larg shkollës, sporteve dhe aktiviteteve të tjera, si pretekst për të mësuar parimet që nuk shkojnë konform ligjeve të republikës. Masat e njoftuara nga presidenti do të jenë pjesë e një pakete që do të dalë në parlament para fundit të vitit.
Top Channel