Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha në një konferencë për shtyp në fund të një mini turneu europian se Shtetet e Bashkuara, do të mbeten të angazhuara në ballkan. Pas vizitës në Greqi, Itali dhe Vatikan, Pompeo bëri një ndalesë disa orëshe në Dubrovnik, për tu takuar me liderët e vendit.

“SHBA nuk udhëheqin më nga prapaskenat. Ne kemi qenë të angazhuar jashtëzakonisht shumë në këtë rajon në planin diplomatik dhe mjafton të përmendim punën e bërë për Kosovën dhe Serbinë. Ka akoma shumë punë për të bërë, është një proces, por ne kemi hedhur një hap pozitiv përpara. Ne jemi të angazhuar në mënyrë serioze dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe me Bosnje Hercegovinën”- tha Pompeo.

Nivel i lartë bashkëpunimi, partneritet në NATO, mesazhe optimiste nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me heqjen e taksës së dyfishtë dhe liberalizim të vizave amerikane për kroatët, këto ishin mesazhet kryesore të Pompeos pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkovic. Mediat kroate shkruajnë edhe se Pompeo i ka kërkuar Kroacisë të distancohet nga Kina si në projekte ashtu edhe në përdorimin e rrjetit 5G ndërsa ka diskutuar edhe për shitjen e avionëve amerikanë F-16.

Me të mbërritur në Kroaci, Pompeo i tha gazetarëve se ai ishte negativ në testin e koronavirusit dhe ndjehej mirë. Kjo pasi presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania, njoftuan se ishin infektuar mëngjesin e të premtes.

Top Channel