Policia mbikëqyrje jo përgjime/ Ndryshon projektligji për policinë e shtetit

03/10/2020 15:41

Plani i Ministrisë se Brendshme për të nisur përgjimet ambientale dhe ato telefonike u rrëzuan pasi në projektligjin për policinë e shtetit që po diskutohet ne kuvend, drafti i pare është ndryshuar duke hequr fjalët, përgjime dhe duke i zëvendësuar ato me mbikëqyrje.

Ndryshimet konsistojnë në nenin 131, për veprimtarinë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, ku policia do të përdorë këto masa të veçanta.

“A)Mbikëqyrjes së veçantë zanore, te komunikimeve jo elektronike.

B) Mbikëqyrjes së veçantë vizuale të personave të dyshuar, në vendet publike. C)Gjurmimi apo mbikëqyrjes së veçantë të personave të dyshuar, nëpërmjet pajisjeve apo teknikave të veçanta për identifikimin apo lokalizimin e vendndodhjes”, tha Lleshaj.

Sipas këtij drafti të ndryshuar, zbatimi i përdorimit të këtyre masave të veçanta do të kontrollohet nga tre institucione.

“Kushtet rregullat, procedurat dhe afatet, që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit përgjegjës për rendin dhe Sigurinë Publike, të Prokurorit të përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. U është lënë pastaj kompetenca, që mund të kontrollojnë në çdo kohë zbatimin e rregullave dhe procedurave të parashikuara në udhëzimin e përbashkët”, tha Lleshaj.

Një tjetër propozim i Ministrisë së Brendshme në këtë projektligj është që punonjësit e policisë së shtetit, në nevoja të veçanta, do të mund të transferohen edhe në administratë, në profile të veçanta bazuar në kualifikimet e tyre. Institucionet kryesore që kanë këto nevoja janë, ministria e Brendshme dhe Hetimi tatimor, por që në momentin e zhvendosjes, punonjësit e policisë, zhvishen nga atributet e mëparshme dhe do të punojnë si civil. Ky projektligj, pritet që javën e ardhshme të miratohen nen për nen në Komisionin e Sigurisë, për të kaluar më pas për votim në Kuvend.

Top Channel