Nënpresidenti Pence dhe roli i tij marrin vëmendje

03/10/2020 03:40

Nënpresidenti Mike Pence, i cili vjen i dyti në radhë në Zyrën Ovale nëse presidenti bëhet fizikisht i paaftë, u testua të premten negativ për COVID-19, pak orë pasi Presidenti Donald Trump njoftoi se ishte infektuar dhe hyri në karantinë. Testimi pozitiv i Presidentit Trump, ka nxjerrë në qendër të vëmendjes Nënpresidentin Pence, ish-ligjvënës konservator, i cili ka qenë një nga të paktat figura që i ka rezistuar ndryshimeve të pandërprera në administratën e presidentit republikan.

Zoti Pence, 61 vjeç, është planifikuar të debatojë me kandidaten demokrate për nënpresidente, Senatoren Kamala Harris të mërkurën, por nuk është e qartë nëse plani mund të ndryshojë pas testimit pozitiv të Presidentit Trump. Presidenti Trump dhe Nënpresidenti Pence do të punojnë secili nga rezidenca e tij. Zyrtarët thanë gjithashtu se edhe stafet e tyre do të jenë të ndarë nga njëri-tjetri për të mbrojtur zotin Pence, nëse do të ishte e nevojshme që ai të merrte detyrën e presidentit, ndërkohë që zoti Trump i nënshtrohet trajtimit mjekësor. Presidenti kërkon kalimin e kompetencave tek nënpresidenti në bazë të Amendamentit të 25 të Kushtetutës, pika 3.

Kjo ka ndodhur tre herë në historinë e SHBA. Ish-Presidenti George W. Bush ia transferoi përkohësisht pushtetin nënpresidentit Dick Cheney dy herë, për disa orë në vitet 2002 dhe 2007, kur po i nënshtrohej kolonoskopisë. Në vitin 1985, George H.W. Bush në atë kohë nënpresident, u bë përkohësisht president për gati tetë orë, kur Presidenti Ronald Reagan hoqi me operacion një dëmtim para-kanceroz të indit. Në rast se presidenti sëmuret me shpejtësi dhe nuk është në gjendje t’ia kalojë kompetencat nënpresidentit në bazë të pikës 3, atëherë pika 4 e amendamentit jep një zgjidhje për një krizë të tillë.

Sipas pikës 4, nënpresidenti dhe shumica e kabinetit mund t’i dërgojnë njoftim Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit “se Presidenti nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat e postit së tij”. Ashtu si në rastin e pikës 3, përsëri nënpresidenti shërben si president i përkohshëm. Sapo presidenti ta marrë veten, nënpresidenti ia kalon kompetencat Dhomës dhe Senatit dhe ato i jepen përsëri presidentit. Kjo, me përjashtim të rastit nëse nënpresidenti dhe shumica e kabinetit i thonë Kongresit se presidenti vazhdon të jetë i paaftë. Në një rast të tillë i takon Kongresit të votojë për provuar paaftësinë ose jo të presidentit.

Zoti Pence merr të njëjtin informacion zbulimi si edhe Presidenti Trump. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump nuk është në “paaftësi fizike” dhe po punon në kushte izolimi me simptoma të lehta. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vjen e treta në radhë për të marrë postin e presidentit pas zotit Pence. Ajo tha të premten se ishte testuar për COVID-19 dhe se do ta merrte përgjigjen së shpejti.

Zoti Pence, ish-guvernator i shtetit Indiana, ka luajtur rol kryesisht në prapaskenë në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse është e njohur se ka ambicie presidenciale. Ai ka luajtur role thelbësore në disa prej nismave legjislative të administratës, përfshirë shkurtimet e taksave të miratuara në vitin 2017. Zoti Pence kundërshton me vendosmëri të drejtat e abortit dhe mbështet me pasion çështje të tilla si zbutja e rregullave për biznesin dhe reduktimi i përmasave të qeverisë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA