Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, “mbetet i lodhur por në gjendje të mirë” dhe “si masë paraprake” mori një dozë të vetme të një trajtimi që përfshin antitrupa sintetikë kundër patogjenit.
Një ekip mjekësh po punon për rekomandimet “në lidhje me veprimet e ardhshme më të mira”, shtoi ai.
Të premten, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.
Conley tha se zonja e parë Melania Trump është “mirë dhe ka vetëm një kollë të lehtë dhe dhimbje koke” dhe se anëtarët e tjerë të familjes Trump “janë mirë dhe kanë dalë negativ në testim” më herët gjatë ditës.
Shefi i stafit të Trumpit, Mark Meadows, konfirmoi më herët se presidenti ka simptoma të lehta të sëmundjes por nuk dha më shumë detaje.
Disa orë para se të rezultojë pozitiv në koronavirus, Trump tha se do të nisë “procesin e karantinës”, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.
Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.
Top Channel