“Klubi” i liderëve pozitivë/ Politikanët më të rëndësishëm të botës të infektuar me Covid-19

03/10/2020 00:53

Ndërsa koronavirusi është përhapur në të gjithë globin, ai nuk ka kursyer liderët botërorë. Me testin pozitiv të koronavirusit, presidenti Donald Trump i bashkohet radhëve të të tjerëve si psh kryeministri britanik, Boris Johnson, presidenti i brazilit, Jair Bolsonaro etj.

Pozitivë kanë rezultuar më parë edhe presidentët e Bolivisë, Guatemalës dhe Hondurasit dhe kryeministrat e Armenisë dhe Rusisë. Disa prej tyre, janë sëmurur rëndë, përfshirë Johnson, që u shtrua në spital për një javë me sëmundjen që deri më tani i ka marrë jetën mbi 1 milionë njerëzve në botë dhe ka infektuar më shumë se 34 milionë.

Të tjerë, si Bolsonaro, duket se kanë patur simptoma të lehta. Në Nigeri ndërkohë, një ndihmës kryesor i presidentit Buhari, vdiq nga koronavirusi në prill. Por, përveç liderëve botërorë, koronavirusi nuk ka kursyer as oborret mbretërore. Princi Charles në Britaninë e Madhe, u vu në izolim në fund të marsit pasi rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit. 71 vjeçari pati simptoma të lehta ndërsa Dukesha e Kornuellit, Kamila, 72 vjeç, u testua dhe rezultoi negative.

Para tij, në fillim të marsit, princi Albert i Monakos u bë monarku i parë në fron ose shefi i parë i një shteti që njoftoi se ishte prekur nga koronavirusi dhe e kaloi përballjen pa shumë shqetësime. Covidi depërtoi edhe në zyrat e BE me Michel Barnier, kryenegociatorin për Brexitin që rezultoi pozitiv në mes të marsit.

Ndërkohë që vendet hynin në izolim në mars, kryeministri kanadez Justin Trudeau u bë lideri i parë i një vendi të industrializuar që hyri në vetëizolim pasi bashkëshortja e tij rezultoi pozitive. Vetë Trudeau, që nuk pati simptoma, nuk bëri një test por qëndroi në vetëizolim për afro tre javë. Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, u vendos në vetëizolim në mars pasi mjeku i saj rezultoi pozitiv. Por pasi rezultoi negative në disa teste, ajo u rikthye në zyrë në fillim të prillit.

Top Channel