Dy persona kanë rënë në pranga në Vlorë, teksa vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Bëhet fjalë për Ergys Fejzaj  19 vjeç dhe Idajet Guhacaj 26 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.

Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e fshatit Kuç, Njësia Administrative Horrë-Vranisht, bashkia Himarë, në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta”, dy armë gjahu të cilat i mbanin pa leje, municion luftarak, një dylbi pushke, një gjerdan brezi me fishekë për armë gjahu dhe dy radio marrëse-dhënëse.

Po gjatë operacionit, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Top Channel