Vendimi i Google, 1 miliardë dollarë për lajme të liçensuara

02/10/2020 08:48

Google do t’i paguajë botuesve më shumë se 1 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme përmes një programi të ri për lajme të liçensuara.
Gjigandi i teknologjisë ka nënshkruar marrëveshje liçensimi me rreth 200 botues në vende të përzgjedhura me plane për të shtuar edhe të tjerë dhe për tu zgjeruar gjeografikisht.

Google, bashkë me Facebook, kontrollon një pjesë të madhe të parave që vijnë nga reklamat e që dikur i shkonin botuesve në sektorin e lajmeve. Reduktimi i të ardhurave nga reklamat kanë çuar në redaksi më të vogla dhe në reduktim të burimeve për të treguar historitë lokale.

1 miliard dollarët e shpenzuara për liçensimin e lajmeve, është mënyra me të cilën Google i tregon botuesve se është e angazhuar të paguajë për gazetari të cilësisë së lartë dhe të mbështesë një industri në vështirësi. Marrëveshjet e liçensimit u njoftuan në qershor, dhe janë pjesë e një produkti të ri të quajtur News Showcase, ku botuesit pjesmarrës mund të kujdesen dhe të vendosin vetë për mënyrën se si do ta prezantojnë historinë e tyre në platformë.

Përmbajtja shfaqet si një histori dhe botuesit mund të lidhin me të, artikuj të ngjashëm etj, për të inkurajuar kështu shikuesit që të klikojnë në sajtet e tyre për të lexuar më shumë. Google do të paguajë disa botues që të bëjnë artikuj që do të jenë lirisht të aksesueshëm për të paabonuerit.

Top Channel