Ushtria e Azerbajxhanit çliron disa lartësira strategjike nga pushtimi

02/10/2020 10:36

Ushtria azerbajxhanase mori kontrollin e disa kodrave strategjike në rajonin Madagiz të qytetit të pushtuar Agdere, në operacionet që nisi për të çliruar territorin e saj nga pushtimi armen.

Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se përleshjet vazhduan gjatë gjithë natës në anët e ndryshme të frontit.

Sipas deklaratës në fjalë, ushtria azerbajxhanase theu rezistencën e ushtrisë armene në drejtimin Xhebrail-Fuzuli, duke detyruar tërheqjen e saj dhe duke arritur të përparojë.

Edhe në drejtim të malit Murov situata është gjithashtu nën kontrollin e ushtrisë Azerbajxhanase. Disa kodra strategjike në rajonin Madagiz të qytetit Agdere janë çliruar nga pushtimi.

Në përleshjet që vazhduan gjatë natës së kaluar janë neutralizuar 5 automjete të blinduara të ushtrisë armene dhe një numër i madh ushtarësh.

Vullnetarët e dërguar nga Armenia në zonat e pushtuara kanë refuzuar të luftojnë pasi ata janë trembur nga intensiteti i luftimeve dhe humbjet e rënda. Suksesi i arritur në luftime dhe çlirimi i pikave dominuese në drejtime të ndryshme kanë rritur edhe frymën e lartë luftarake dhe vendosmërinë për të fituar tek ushtarët azerbajxhanas, thuhet më tej në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit.

Top Channel