Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, kapërcyen një ngërç diplomatik të premten dhe vendosën sanksione ndaj Bjellorusisë pas disa orësh bisedimesh të nivelit të lartë.
Ata siguruan gjithashtu Qipron se do të ndëshkonin edhe Turqinë nëse vazhdon eksplorimin për naftë dhe gaz në pjesë të debatueshme të Mesdheut.
Marrëveshja për sanksione kundër 40 zyrtarëve të akuzuar se kishin manipuluar zgjedhjet presidenciale të gushtit, do të thotë se Bashkimi Evropian do ta mbajë premtimin për të mbështetur protestuesit pro-demokracisë në Minsk dhe të rifitojë besueshmërinë ndërsa iu deshën disa javë që të vepronte.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel foli pas bisedimeve që zgjatën deri pas mesnate në Bruksel.
“Mund të themi sot se sanksionet kundër aktorëve në Bjellorusi do të jenë efektive. Kjo do të thotë se BE-ja merr masa kundër atyre që kundërshtojnë lëvizjen demokratike dhe mendoj se është një sinjal shumë i rëndësishëm”, tha ajo.
Ndërsa Britania dhe Kanadaja kanë vendosur sanksione ndaj Minskut, diplomatët thonë se ngecja në BE lidhur me to, ka dëmtuar besueshmërinë në politikën e jashtme të bllokut.
Qiproja kishte bllokuar veprimin kundër Bjellorusisë për një muaj, duke këmbëngulur që të vendosen sanksione ndaj Turqisë për kërkime për naftë dhe gaz përgjatë brigjeve të ishullit Mesdhetar.
Gjermania nuk ishte e prirur për një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë, pasi druhej se do të pengonte përpjekjet për të ulur tensionet me Greqinë.
Ndërkohë Ministria e Jashtme e Bjellorusisë u kundërpërgjigj ndaj sanksioneve të premten, duke thënë se kishte hartuar një listë me emrat e personave që do ndalohen të hyjnë në vend.
Ministria tha se lista nuk do të bëhej publike./VOA/
Top Channel