PD do çojë në prokurori Sandër Lleshajn për ndryshimet e adresave në Gjendjen Civile/ Përgënjeshtron Ministria e Brendshme: Pretendim i pabazë

02/10/2020 17:13

Partia Demokratike dhe aleatët pretendojnë se institucionet e drejtuara nga Partia Socialiste po zhvendosin Gjendjet Civile duke filluar nga një njësi në tjetrën, e për të vazhduar më pas deri në zhvendosje qytetesh.

Kjo problematikë e pretenduar nga PD-ja u diskutua në studion e emisionit “Top Talk”, ku të ftuar ishin ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe Drejtor i Drejtorisë së Sistemeve Informatike, Vangjush Stavro. Alibaj bëri akuzën e fortë në studio duke thënë se do të bëj kallëzim penal për ministrin Sandër Lleshaj, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, të cilët sipas tij kanë bërë ndryshimet e adresave.

Nga krahu tjetër Stavro tha se një gjë e tillë është e pavërtetë, duke i hapur sfidë ish-deputetit, për të paraqitur rastet konkrete.

Enkelejd Alibeaj: E kupton kushdo që përgjatë procesit të saktësimit të adresave të mundet të shënohet si adresë e dytë atje ku e ka. Ky proces nuk është problem i madh. Ka ndodhur edhe zhvendosja e gjendjes civile primare të tij, nuk është shtuar një e dhënë tjetër, por është marrë e gjithë fleta e regjistrit. Të dhënat janë masive dhe është e ditur, ka ndodhur fenomeni i zhvendosjes së gjendjes civile. Problemi nuk është se ka ndodhur thjesht zhvendosja, por sipas kodit zgjedhor lista e votuesve duhet gjenerohet sipas vendbanimit të ri.

Vangjush Stavro: Zoti Alibeaj do të kisha dëshirë të më jepnit vetëm një rast, që ne kemi zhvendosur gjendjen civile të shtetasve pa i pyetur. Nuk ka ndodhur diçka e tillë në këtë proces. Deri më tani kemi dy standarde adresash, kemi një ku shtetasi e kishte në Tiranë, fjala vjen Komuna e Parisit e më pas ne nuk dinim asgjë, ka dhe një adresë që lidhet me kodin zgjedhor, kjo nuk është cënuar dhe nuk do të preket. Por në rastin e parë ajo do të ndryshohet për të mësuar ku mund të gjenim shtetasit tanë.

Enkelejd Alibeaj: Është një gjë kaq dramatike sa e gjitha ka ndodhur me urdhër, sepse besoj që procedurat ligjore i njoh mirë. Do t’i kallëzojmë penalisht duke filluar nga ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. Kjo nuk është sfidë intelektuale as politike, por është një sfidë që ka të bëjë me identitetin e qytetarëve shqiptar, është dhe çështja e listave të zgjedhësve.

Vangjush Stavro: Desha vetëm ta mbyll, që për mendimin tonë të paktën i gjithë ekipi që është marrë me këtë, ndryshimet janë bërë për të ditur ku na ndodhen shtetasit, ky është identiteti dhe nuk është thjesht rruga e Dibrës dhe aty i kemi të gjithë.

Top Channel