Ka nisur faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatëve për hetues në Byron Kombëtare të Hetimit ose të quajtur ndryshe ‘FBI-ja’ shqiptare.

Pas mbylljes së garës për aplikimet, ku shprehën interes gati 600 aplikantë, Komisioni Përzgjedhës i përbërë nga tre prokurorët e SPAK nis fazën e dytë të kontrollit të të dhënave nga ajo çka është dorëzuar online në adresën ‘bkh.al’.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije se të gjithë aplikantët që do të  plotësojnë kriteret në fazën e aplikimit fillestar do të kualifikohen për në fazën e testit të arsyetimit logjik. Procesi i përzgjedhjes po asistohet dhe monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve.

Për kandidatët për hetues në BKH ka reaguar disa herë edhe vetë numri 1, i këtij institucioni, Aida Hajnaj duke dhënë mesazhe për ta dhe duke i garantuar për një proces të drejtë dhe transparent nga ku do të përzgjidhen 60 më të mirët.

“Procesi i përzgjedhjes do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve që garanton transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces.” ka deklaruar Aida Hajnaj.

Top Channel