Grupi i ekstremit të djathtë “Djemtë Krenarë” dhe komentet e Presidentit Trump

02/10/2020 07:08

“Djemtë Krenarë” janë pushtuar nga entuziazmi. Grupi i ekstremit të djathtë vazhdon të festojë që kur Presidenti Donald Trump refuzoi të thotë drejtpërdrejt se ai nuk i mbështet ata dhe një sërë supremacistësh të bardhë gjatë debatit presidencial të martën në mbrëmje, në Klivlend të shtetit të Ohajos.

Zoti Trump, i cili është kritikuar se asnjëherë nuk i ka denoncuar qartë grupet e ekstremit të djathtë, u pyet nga moderatori i debatit Chris Wallace, gazetar i rrjetit televiziv Fox News, nëse ai i dënonte ekstremistët e bardhë. “Kë do të donit të dënoja?” e pyeti Presidenti Trump gazetarin përpara se rivali i tij demokrat Joe Biden të përmendte emrin e organizatës “Djemtë Krenarë”, një grup i krahut të djathtë pro zotit Trump. “Djemtë krenarë?, pyeti zoti Trump i cili tha më pas: “Sprapsuni dhe qëndroni në gadishmëri”. “Por dua t’u them diçka”, shtoi Presidenti gjatë komentit të tij: “dikush duhet të bëjë diçka lidhur me Antifën e të majtën, sepse ky nuk është një problem i krahut të djathtë, ky është një problem i krahut të majtë”, tha ai.

“Djemtë Krenarë” marrin shpesh pjesë në tubimet e Presidentit Trump. Ndërsa disa nga anëtarët e këtij grupimi i morën komentet e presidentit si mbështetje, udhëheqësi i grupit me bazë në Florida Enrique Tarrio, me origjinë afro-kubaneze, thotë se ai nuk e sheh kështu. “Megjithëse jam i ngazëllyer që u përmendëm gjatë debatit …nuk po e marr këtë si një mbështetje të drejtpërdrejtë nga Presidenti”, shkruante zoti Tarrio në aplikacionin Telegram.

“Ajo që tha ai se “Djemtë Krenarë” duhet të sprapsen e të qëndrojnë në gatishmëri është ajo që kemi bërë gjithmonë”, shtoi zoti Tarrio. Ai shtoi se “Djemtë Krenarë” nuk i mbështesin “supremacistët e bardhë”, duke i bërë jehonë qëndrimit të kahershëm publik të grupit kundër racizmit, antisemitizmit, nacionalizmit të bardhë e dhunës. Por Joe Biggs, një tjetër udhëheqës i njohur i grupit, i mori komentet e zotit Trump si një thirrje për veprim. “Trump në thelb tha shkoni, bjeruni”, shkruante zoti Biggs në llogarinë e tij në Telegram. “Kjo më gëzon shumë”.

Ndryshimi në dukje
Në vazhdën e kritikave të përhapura mbi refuzimin e tij për të denoncuar supremacistët e bardhëve, të mërkurën zoti Trump u duk se ndryshoi qëndrim. “Nuk e di kush janë “Djemtë Krenarë”, u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Kushdo që të jetë, ata duhet të sprapsen”. I pyetur nëse i dënonte supremacistët e bardhë, zoti Trump tha se ai “gjithmonë ka dënuar çdo formë, që duhet dënuar”. “Djemtë Krenarë” e prisnin atë çka duket si një ndryshim në pozicionin e zotit Trump, por kjo nuk ka gjasa ta ulë entuziazmin e tyre.

“Mos u habisni nëse ai bën një deklaratë mbi ne në ditët e ardhshme për të qetësuar popullatën”, shkruante zoti Biggs të martën në mbrëmje. “Por ai e di që ne jemi njerëz të mirë”. Zoti Biden ishte shumë kritik ndaj paraqitjes së zotit Trump në debat. I pyetur nga një gazetar në Ohajo nëse kishte ndonjë këshillë për “Djemtë Krenarë”, ish-Nënpresidenti u përgjigj: Ndaluni menjëherë!”. Polemikat vijnë ndërsa presidenti Trump vazhdon të fajësojë për dhunën në protestat mbi drejtësinë racore pothuajse vetëm Antifën, duke kundërshtuar vlerësimin e drejtorit të FBI-së, të zgjedhur nga vetë ai, se supremacistët e bardhë të dhunshëm mbeten kërcënimi më i madh i brendshëm për sigurinë kombëtare.

Heidi Beirich, bashkëthemeluese e Projektit Global Kundër Urrejtjes dhe Ekstremizmit, thotë se supremacistët e ekstremit të djathtë janë të entuziazmuar për shkak të asaj që ata e shohin si mbështetje nga ana e zotit Trump për “Djemtë Krenarë”, të cilët po bëjnë para me komentin e zotit Trump duke shitur bluza. “Dhe e gjithë biseda rrotullohet tek ajo se sa e rëndësishme është kjo gjë dhe se si ata janë të gatshëm ta mbështesin presidentin”, thotë zonja Beirich. “Presidenti Trump në thelb u dha “Djemve Krenarë” një slogan të ri”, shton ajo.

Cilët janë Djemtë Krenarë?
Ata e përshkruajnë veten si një klub të “shovinistëve perëndimorë” që bëhen bashkë për të pirë. Por vëzhguesit e ekstremizmit thonë se ky është vetëm një maskim për atë që qëndron në themelet e këtij grupi me paragjykime të forta ndaj grave, kundër myslimanve dhe emigrantëve. Megjithëse grupi nuk e ka mbrojtur kurrë idenë e një shteti etnikisht të bardhë, që mbështetet nga nacionalistët e bardhë, fanatizmi në radhët e këtij grupimi është po aq ekstrem thotë zonja Beirich. “Vetë organizata thotë se mbështet shovinizmin perëndimor, ndonjëherë civilizimin perëndimor, të cilat janë fjalë të koduara për lëvizjet e supremacistëve të bardhë”, thotë zonja Beirich.

Në një artikull në internet në vitin 2016 duke njoftuar formimin e grupit “Djemtë Krenarë”, Gavin McInnes, një aktivist kanadez i krahut të djathtë, qasja e të cilit ngjall shumë polemika dhe bashkëthemelues i revistës VICE, e përshkroi grupin si “shovinistë perëndimorë që refuzojnë të kërkojnë falje për krijimin e një bote moderne”. Kjo frazë u bë pjesë e ceremonisë që shënoi themelimin e grupit. Sot grupi, anëtarët e të cilit shpesh veshin bluza në ngjyrë të zezë e të verdhë, kanë struktura në shumicën e shteteve, sikurse në Australi, Britani dhe Norvegji, sipas organizatës joqeveritare Lidhja Kundër Shpifjes (ADL).

ADL-ja thotë se “Djemtë Krenarë”, megjithëse i takojnë së djathtës së re, një lëvizje politike që e sheh veten të ndarë si nga konservatorizmi i zakonshëm ashtu edhe nga e djathta ekstreme e që refuzon supremacistët e bardhë, kanë “një qasje me bazë urrejtjen” ndryshe nga çfarë përmban premtimi i tyre publik. Nga ana e saj, Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë i ka përcaktuar “Djemtë Krenarë” si një grup që nxit urrejtjen. Megjithëse “Djemtë Krenarë” kanë mes tyre disa anëtarë jo të bardhë, sipas zonjës Beirich, ata kanë lejuar nga ana tjetër në radhët e tyre supremacistë të njohur të bardhë dhe janë shfaqur në tubime të nacionalistëve të bardhë.

Ndërthurja
Jason Kessler, ish-anëtar i “Djemve Krenarë”, ishte organizatori kryesor i tubimit të ekstremistëve të djathtë në vitin 2017 të quajtur “Bashkoni të Djathtën” në Sharlotsvill të shtetit të Virxhinias. Tubimi, i cili mblodhi së bashku neo-nazistë, anëtarë të milicisë anti-qeveritare dhe anëtarë të organizatës Ku Klus Klan përfundoi me vdekjen e një protestueseje. Anasjelltas, në vitet e fundit, grupet nacionaliste të ekstremit të djathtë kanë marrë pjesë në tubimet e organizuara nga “Djemtë Krenarë”.

“Ne besojmë se ka rrjedha të supremacistëve dhe nacionalistëve të bardhë në rrënjët e tyre”, thotë Kristen Clarke, presidente dhe drejtore ekzekutive e Komitetit të Avokatëve për të Drejtat Civile Bazuar në Ligj. Vitin e kaluar, një oficer policie nga Konektikati u detyrua të dilte në pension pasi Komiteti i Avokatëve publikoi të dhëna se ai ishte anëtar i “Djemve Krenarë” thotë zonja Clarke. Ndërsa publikisht “Djemtë Krenarë” e dënojnë dhunën, anëtarët e tij janë angazhuar në akte të dhunshme gjatë këtyre viteve.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray dëshmoi në Kongres javën e kaluar se supremacistët e bardhë dhe ekstremistët anti-qeveritarë kanë qenë përgjegjës për shumicën e sulmeve të fundit me pasoja fatale nga grupet ekstremiste brenda Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar, dy anëtarë të grupit “Djemtë Krenarë” u dënuan mbi akuza për sulm e trazira lidhur me rrahjen e aktivistëve të Antifës në qytetin e Nju Jorkut në 2018-n. Këtë vit, anëtarët e “Djemve Krenarë” kanë marrë pjesë në përleshjet e dhunshme mes aktivistëve të krahut të djathtë e të majtë në Portland të shtetit të Oregonit e në disa qytete të tjera. Më 22 gusht sipas ADL-së “Djemtë Krenarë” u përplasën me protestuesit e krahut të majtë në qytetin e Portlandit, duke u përfshirë në akte të shumta dhune./VOA

Top Channel