E paralajmëroi Alibeaj në Top Channel, PD padit në SPAK Sandër Lleshaj: Manipulimi me regjistrin e gjendjes civile

02/10/2020 18:38

Sipas Partisë Demokratike çështja e ndryshimit të vendbanimit të qytetarëve, pa kërkesën e tyre ka ardhur me qëllim manipulimin e listave të votuesve dhe duhet të hetohet nga SPAK.

Partia Demokratike bën përgjegjës direkt Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj, për të cilët dorëzoi kallëzim penal në SPAK për 3 vepra penale: falsifikim i dokumenteve, shpërdorim i detyrës dhe shkelje e të drejtës së zgjedhjes.

Ky kallëzim u paralajmëruar nga Enkelejd Alibeaj në studion e emisionit ‘Top Talk’ në Top Channel.

Në padinë e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem me qëllim ndryshimin e adresës ëë vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qyetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit.

“Rastet e denoncuara nga shtetas të ndryshëm për një periudhë rreth 2 javore mbi ndryshimet e vendbanimeve, pa dijeninë e tyre, tregojnë për tentativat për të manipuluar listat e zgjedhësve shqiptarë nga personat përgjegjës, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”- thuhet në padi.

Ligji për Gjendjen Civile dhe Kodi Zgjedhor janë shumë të qartë lidhur me këtë çështje. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ndikon në procesin zgjedhor, duke ndryshuar menjëherë qendrat e votimit ku duhet të votojnë qytetarët shqiptarë. Sipas nenit 46 të Kodit Zgjedhor në fuqi, qendrat e votimit bazohen te kodi i vendbanimit. Duke iu referuar nenit 15 pika 3 i ligjit “ Për gjendjen civile”, në padi jepen argumente se vendbanimi ndryshohet vetëm me kërkesën e shtetasit.

Duke vënë në dukje se SPAK duhet të kishte nisur vetë hetim për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thekson se “e paraqet këtë kallëzim, si mundësi ligjore e ushtrimit të përgjegjësive në mbrojtje të interesit publik. Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë të diktuar nga interesi i lartë që është cënuar dhe preket në këtë rast, duke qenë se jemi përpara akteve të rrezikshme që do të cënonin transparencën e procesit zgjedhor dhe lirinë e zgjedhjeve, si parime bazë të demokracisë”


Top Channel