Donald Trump i dërgon letër mirënjohjeje Ramës, ja çfarë i shkruan. Kërkesë Shqipërisë për të ikur nga tryeza e Nismës së Kinës në Europën Qëndrore e Lindore

02/10/2020 08:01

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka dërguar mbrëmë një letër kryeministrit Edi Rama. Letrën e dërguar nga Trump, Rama e ka publikuar në profilin e tij në Faceook. Presidenti Trump kërkon që Shqipëria të dalë nga nisma 17+1 e drejtuar nga Kina për Europën Qëndrore dhe Lindore.

Në letrën e mbërritur kryeministrit Trump falenderon Ramën për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit.

Gjithashtu Trump falenderon Ramën për mbështetjen e dhënë në normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë.

Ja letra e plotë e Donald Trump:

I dashur Z. Kryeministër:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni.

Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem.

Sinqerisht.

Çfarë është Nisma 17+1?

Nisma për bashkëpunim 17 + 1 ose Bashkëpunimi Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore është iniciativë e Qeverisë së Kinës që synon intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me 17 vende të Europës Qendrore dhe Lindore prej të cilave 12 janë shtete anëtare të BE-së dhe 5 vende të Ballkanit. Nisma mori jetë në forumin e Varshavës 2012 dhe synon forcimin e bashkëpunimit në fushat e shëndetësisë, ekonomisë, bujqësisë, arsimit, etj mes vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës.

Përse SHBA është kundër Kinës për kontrollin e 5 G

Gara e fortë e përhapjes së rrjetit 5G, në të cilën Kina është një hap para Perëndimit, ka shqetësuar Presidentin amerikan Donald Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë është treguar konkret me thirrjen e tij ndaj kompanive amerikane për t’a zhvilluar sa më shpejt këtë teknologji. Rrjeti 5G është gjenerata më e fundit e teknologjisë së internetit me valë që pritet të jetë 100 herë më i shpejtë se 4G-ja. Kjo teknologji mundëson zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së automjeteve pa shofer dhe të ashtuquajturave qytete smart. Por teksa kompanitë amerikane ende janë fazat e zhvillimit të kësaj teknologjie, Kina e aplikon në mbi 50 qytete, madje ka lidhur kontrata edhe me disa vende perëndimore. Ëashingtoni druhet se nga përdorimi i 5G-së kineze nga aleatët do të bëjë që ata të bien pre e spiunazhit nga Kina.

Top Channel