Çfarë ka thënë Trump për virusin/ Nga refuzimi i maskës, rekomandimi i ilaçit dhe infektimi me Covid-19

02/10/2020 20:19

Pas muajsh të tërë minimizimi të virusit, pasi refuzoi të mbante maskë dhe pasi zhvilloi tubime të shumta elektorale në një kohë kur koronavirusi përhapej në SHBA, presidenti amerikan, Donald Trump ka rezultuar pozitiv për covid 19.

Ja disa nga deklaratat më të famshme dhe goditëse të vetë presidentit për sëmundjen. Që në shkurt, kur virusi përhapej frikshëm në kinë, Trump e krahasonte atë me një grip të zakonshëm.

26 shkurt:

Ky është një grip. Është taman si një grip. Do të zhduket. Një ditë, si me magji, do të zhduket.

11 MARS

Virusi, nuk ka asnjë shans me ne. asnjë vend në botë nuk është më i përgatitur se SHBA.

Por shumë shpejt, virusi do të përhapej në të gjithë shtetet e bashkuara dhe prej muajsh tashmë vendi renditet i pari në botë për sa i takon numrit të infektimeve dhe viktimave. Ndërkohë, vetë Trump, refuzoi deri në fund të mbante maskë.

3 Prill

Unë thjeshtë nuk dua. Imagjinoni, i ulur në zyrën ovale, me një maskë, ndërsa pres presidentë, kryeministra, mbretër, mbretëresha…Nuk e di. Nuk e shoh veten me maskë. Ndoshta mund të ndryshoj mendim

Por, komenti që do të kujtohet më gjatë, është ai për dezinfektantët si mënyrë e mundshme kurimi.

24 prill

Unë shoh që dezinfektanti e ngordh virusin në një minutë. A ka një mënyrë që ne të bëjmë dicka të ngjashme, duke injektuar në trup dicka të tillë…Ose imagjinoni sikur të godasim trupin me një dritë shumë të fuqishme, ju thatë që nuk e keni kontrolluar por duhet ta testoni…

Trump u bë edhe mbrojtës i hidroksiklorinës, pavarësisht studimeve që tregonin se ajo nuk kishte ndonjë rol domethënës në kurimin e covid 19 dhe kritikëve, që paralajmëronin për pasoja anësore të saj.

19 maj

Unë besoj tek ajo. Do ta merrja. Në fakt ju e dini që e morra për 14 ditë, dhe ja ku jam. Duket se funksionon në fazat e para

Dhe në fund, vjen një postim në twitter.

Sot, zonja e parë dhe unë, rezultuam pozitivë me covid 19. Ne do të fillojmë menjëherë karantinën dhe procesin e shërimit. Do ta kalojmë këtë, së bashku!”

Top Channel