Cakaj: Mbështetje financiare dhe institucionale për Luginën e Preshevës

02/10/2020 18:48
Ministri Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, reagoi lidhur me ngritjen e fondit ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës, i cili sipas tij shënon një moment të ri politik në përpjekjet e të dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për të lartësuar pozicionin e për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Lugina e Preshevës është rajoni me shumicë shqiptare më i pazhvilluar në Serbi e shqiptarët e Luginës së Preshevës janë një prej pakicave kombëtare më të nënpërfaqësuara në rajon. Ndaj, mbështetja institucionale, diplomatike e financiare për Luginën sot, nuk është vetëm detyrë e patjetërsueshme kombëtare, por edhe veprim i domosdoshëm politik” tha Cakaj në postim.

Më tej, Cakaj bëri me dije se së shpejti të dy qeveritë do të ndërmarrin edhe disa masa të tjera në mbështetje të Luginës së Preshevës.

Top Channel