Sondazhet pas debatit Trump-Biden/ CNN nxjerr para kandidatin demokrat, CBS me diferencë të ngushtë

01/10/2020 00:20

Pak pas përfundimit të debatit të parë presidencial, Fox News, publikoi dy sondazhe online që flisnin për fitoren e presidentit Donald Trump. Edhe sekretarja për shtypin e presidentit, Kayleigh McEnany, konfirmoi të njëjtën gjë. Por, sipas sondazhit të kryer nga CNN, gjashtë në çdo 10 ndjekës të debatit mendojnë se ish zëvendëspresidenti Biden, doli më i fituar nga debati dhe vetëm 28 për qind renditën Trump të parin.

CNN i kishte pyetur të njëjtët të anketuar edhe para debatit, se fitoren e kujt prisnin. Biden kishte avantazh edhe atje, me 13 pikë. Ndërsa një sondazh i CBS News, i kryer nga YouGov, flet për një marzhin më të ngushtë fitoreje për Biden, me 48 për qind që e shohin atë fitues dhe 41 për qind që thonë se Trump dominoi. Për ekspertët, sidoqoftë, debati i të martës mbrëma, nuk pati asnjë fitues.

Reagimet pas debatit, ishin të ndara në linja partiake. Por dominojnë kritikat e ashpra për mbarëvajtjen e tij, shoqëruar me ndërhyrje të shpeshta në fjalët e njëri tjetrit. Për republikanët, Donald Trump ishte fituesi ndërsa për demokratët, Biden dominoi dhe paraqitja e Trump në debat ofroi një arsye më shumë për ti mohuar atij një mandat të dytë.

Ishin të shumtë vëzhguesit e debatit që kritikuan shkëmbimet me tone të larta dhe kaotike mes dy kandidatëve, e pati madje edhe nga ata që e quajtën debatin një turp kombëtar. Disa analistë kritikuan presidentin duke thënë se nëpërkëmbi demokracinë të tjerë, shprehën keqardhje për spektaklin në tërësi. “Ne jemi një vend më i mirë nga ai që u pa sonte në këtë debat”, shkruante në Twitter një ish senator republikan, Jeff Flake.

Top Channel