“Shkeli marrëveshjen”/ BE, gjyq Londrës për Brexit

01/10/2020 14:45

Bashkimi Europian ka nisur procedurat ligjore kundër Britanisë së Madhe pas refuzimit të kësaj të fundit për të hequr dorë nga plani i anashkalimit të disa pjesëve të marrëveshjes së Brexit të arritur me bllokun.

Afati i Brukselit për heqjen e klauzolave polemizuese nga Projektligji i Tregut të Brendshëm skadoi të mërkurën. Njoftimi formal i bllokut mund t`i hapë rrugës një procesi gjyqësor kundër Londrës në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. BE-ja megjithatë, sipas presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nuk ka hequr dorë nga bisedimet për një ujdi tregtare post-Brexit.

Britania, nga sa pohoi ajo, do të ketë kohë deri në fund të nëntorit për t`iu përgjigjur shqetësimeve të Bashkimit Europian mbi draftin e legjislacionit. Bisedimet dypalëshe të tregtisë duhet të vazhdojnë në kryeqytetin belg këtë javë. Shefi I ekzekutivit britanik Boris Johnson thotë se palët “duhet të ecin përpara “ edhe po nuk u arrit një marrëveshje deri në mesin e tetorit. Për momentin, qeveria britanike nuk duket e prirur të heqë dorë nga projektligji i saj, që minon marrëveshjen e mëparshme.

Britania u largua nga BE-ja janarin e kaluar dhe është hermetike në negociatat për një marrëveshje të re tregtare nga viti 2021, si dhe për zbatimin e largimit nga blloku, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Tërheqjes, veçanërisht për kufirin e ndjeshëm irlandez.

Top Channel