Mbledhja e Këshillit Politik pa konsensus/ Bylykbashi: Këmbëngulëm t’i drejtohemi OSBE/ODIHR! Vasili: Kërkojnë të miratojnë ligjin që u leverdis

01/10/2020 14:17

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, ku palët nuk gjetur akoma dakordësi, përfaqësuesi i opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi, tha se opozita vijon të kërkojë me ngulë që palët t’i drejtohen OSBE/ODIHR për pikat ku nuk gjendet konsensusi por sipas tij mbledhja u mbyll pasi Gjiknuri u largua.

Bylykbashi theksoi se PS vijon të refuzojë dhe se ka frikë nga përgjigja e ODIHR.

“Opozita nguli këmbë në mbledhje që e vetmja pikë e agjendës të jetë nënshkrimi i përbashkët për kërkesën drejtuar OSBE/ODIHR për ndryshimin e rregullave themelore. Gjiknuri ngulte këmbë që të mbajë të pandryshuar qëndrimin e tij për të ndryshuar rregullat, ndërkohë që loja ka filluar. Opozita kërkoi me insistim që t’i drejtohemi ODIHR. PS përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgjigja që do të vijë nga ai që kemi pranuar të jetë arbitër të gjithë. Nëse PS nuk ndryshon qëndrim, bllokon funksionimin e Këshillit Politik, e për rrjedhojë edhe Reformën Zgjedhore, që është një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka folur pas mbledhjes së Këshillit Politik për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke saktësuar se ajo përfundoi pasi Gjiknuri braktisi tryezën.

Vasili tregon se Gjiknuri ia bëri të qartë se mazhoranca miraton ligjin që i leverdis asaj, dhe sipas përfaqësuesit të LSI është një deklarim i rëndë.

“I përsëritëm edhe njëherë se duam rregulla të barabartë. Mazhoranca do rregulla të favorizojë vetveten. Dëmi që po i bën mazhoranca, një armike konstante e integrimit europian. BE nuk e quan kusht të realizuar Reformën Zgjedhore pa e dhënë fjalën OSBE/ODIHR. PS do të mbajë pushtetin dhe të rruhet nga pandëshkueshmëria. I gjithë qëllimi i saj është politik. Çështjet pse ne i drejtohemi ODIHR janë parimore, të mëdha.”- tha Vasili.

Top Channel