“Luftë deri në fund”- premtimi i presidentit të Azerbajxhanit për konfliktin me Armeninë

01/10/2020 00:38

Presidenti i Azerbajxhanit ka premtuar se do të luftojë deri sa forcat armene të largohen nga territori i kontestuar, në ditën e katërt të luftimeve të ashpra në rajon. Presidenti Ilham Aliyev vizitoi ushtarët e plagosur në një spital ushtarak dhe tha se nëse qeveria armene plotëson kerkesat, luftimi dhe gjakderdhja do të ndalen dhe paqja do të rikthehet në rajon.

‘Ne kemi vetëm një kusht: Forcat e armatosura armene duhet pa kushte dhe plotësisht të largohen nga toka jonë’- tha Aliyev.

Më shumë se 100 viktima janë raportuar në luftimet më të ashpra në shumë vite në lidhje me rajonin e Nagorni-Karabakut. Zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, ai qeveriset nga armenët etnikë. Dy ish republikat sovjetike kanë luftuar me njëra tjetrën edhe në vitet 1988,1994 për territorin. Edhe pse Armenia e mbështet republikën e vetëshpallur, ajo asnjëherë nuk e ka njohur atë zyrtarisht.

Është e paqartë ndërkohë se çfarë i ka rindezur luftimet që janë më të ashprat që nga armëpushimi i 1994 dhe ka një frikë në rritje se fuqi ndërkombëtare mund të tërhiqen në konflikt. Të mërkurën presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai ishte jashtëzakonisht i shqetësuar nga mesazhet luftënxitëse që vinin nga Turqia, një aleat i vendosur i Azerbajxhanit. Vetë Turqia thotë se është plotësisht e gatshme të ndihmojë Azerbajxhanin të rimarrë Enklavën.

Top Channel