Ligjvënësit, kritika Pentagonit për reduktimin e trupave në Gjermani

01/10/2020 04:24

Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën në Kongres, ligjvënësit demokratë dhe republikanë shprehën zhgënjimin me Pentagonin për mungesën e detajeve rreth planeve të Presidentit Donald Trump për të tërhequr mijëra trupa nga Gjermania. Pentagoni njoftoi në korrik se do të tërhiqte nga Gjermania rreth 12,000 nga 36,000 trupa, pasojë e mosmarrëveshjeve mes administratës Trump dhe Berlinit mbi shpenzimet ushtarake.

Por Uashingtoni ka njoftuar se do të mbajë gati gjysmën e atyre forcave ushtarake në Evropë për të adresuar tensionet me Rusinë. Dy zyrtarë të lartë të Pentagonit u paraqitën para komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuese. Ligjvënësit kërkuan me ngulm informacion rreth kostos së tërheqjes së trupave, sa kohë do të duhej për t’u kryer ky proces dhe nëse administrata ishte koordinuar me aleatët evropianë përpara se ta merrte vendimin. Ata morën pak përgjigje gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth dy orë e gjysmë e që u përfshi në disa raste nga debatet.

“Çfarë po ndodh kështu?! Ne mund të ushtrojmë të drejtën tonë të mbikëqyrjes”, tha kryetari i komisionit, demokrati Adam Smith. James Anderson, nënsekretari në detyrë i Mbrojtjes për çështje që lidhen me polikat në Pentagon, tha se ushtria nuk kishte ende detaje dhe do të jepte informacione mbi planin gjatë procesit të hartimit të tij. I pyetur nëse ishte Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper ai që i kishte ofruar Presidentit Trump një plan për tërheqjen e trupave, apo nëse vetë presidenti kishte marrë një vendim mbi këtë çështje duke i këkuar Pentagonit ta zbatojë, zoti Anderson tha se ai nuk kishte informacion rreth bisedimeve mbi këtë çështje.

“Atëherë pse je këtu?!”, i tha ligjvënësi demokrat Bill Keating zotit Anderson. Republikani më i lartë në komision, ligjvënësi MacThornberry, tha se dukej se çështja e reduktimit të trupave ishte një vendim i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe jo Pentagonit, në përpjekjen që presidenti të binte dakord për një numër të caktuar trupash në Gjermani. Zoti Trump ka fajësuar Gjermaninë, një aleate e ngushtë e SHBA-së, se ka dështuar të përmbushë objektivin lidhur me shpenzimet e mbrojtjes në kuadër të NATO-s dhe e ka akuzuar atë për përfitime në kurriz të Shteteve të Bashkuara në çështje që lidhen me tregtinë.

Top Channel