Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, do të paraqitet sot për herë të parë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Paraqitja do të bëhet në formë të seancës publike dhe mund të përcillet përmes video-linkut, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 29 shtator.
Gucati është arrestuar më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet se ka penguar drejtësinë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të martën, para Dhomave të Specializuara u paraqit edhe nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Edhe ai u arrestua më 25 shtator, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.
Kundër Gucatit dhe Haradinajt nuk ka ende aktakuza të ngritura.
Tri herë muajin e kaluar, OVL e UÇK-së ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo, shkruan Rel. Duke reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.
Top Channel