Fyerjet mes Trump e Biden/ Ndryshojnë rregullat e debatit

01/10/2020 11:09

Komisioni që mbikëqyr debatet presidenciale të SHBA njoftoi se do të ndryshojë formatin për t`u siguruar që dy takimet e mbetura mes Donald Trump dhe Joe Biden të jenë më të rregullta.

Një prej masave të reja mund të jetë mbyllja e mikrofonave nëse kandidatët përpiqen të ndërpresin njëri-tjetrin, raportojnë mediat amerikane. Kjo lëvizje vjen pas debatit të së martës, i pari mes dy rivalëve të mëdhenj në Shtëpinë e Bardhë, i cili degjeneroi në grindje e ofendime. Toni dhe taktikat e përdorura aty ndaj kundërshtarit, u kritikuan në SHBA e në të gjithë botën.

Ekipi i Presidentit Trump u shpreh kundër planeve të komisionit, megjithatë ky i fundit duket i palëkundur në qëndrimin e vet. “CPD do të shqyrtojë me kujdes ndryshimet që do të miratojë dhe do t`i shpallë ndryshimet e reja së shpejti”, thanë drejtues të tij, të cilët shprehën njëkohësisht mirënjohje për profesionalizmin dhe aftësinë e treguar prej moderatorit Chris Wallace, i cili u përpoq shumë të vendoste rregull.

Gjatë përballjes, Trumpi e ndërpriste Bidenin vazhdimisht duke çuar në një seri shkëmbimesh kaotike mes tyre. E ndërsa presidenti republikan vuri në pikëpyetje inteligjencën e rivalit, ai e quajti “klloun” dhe i kërkoi të mbyllte gojën. Komisioni sqaroi se ekipet e të dyja fushatave do të njoftohen për masat e reja, por ato sipas tij, nuk janë subjekt negocimi.

Top Channel