Erdogan flet hapur dhe kërcënon: Armeninë nuk do ta shpëtojnë as përpjekjet për të shpifur ndaj Turqisë, ata që e mbështesin këtë shtet hajdut…

01/10/2020 17:01

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia është në krah të Azerbajxhanasve që luftojnë kundër pushtimit armen.

Në fjalimin e mbajtur në vitin e 4-t legjislativ të periudhës së 27-të në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Erdogan tha: “Kuvendi ynë që mbështet sinqerisht vëllezërit tanë që prej turqve të Qipros dhe Azerbajxhanit e deri në Ballkan e Kaukaz, së bashku me popullin tonë ka treguar se është burim shprese për të gjithë miqtë tanë”.

“Turqia do të vazhdojë të mbështesë me zemër dhe me të gjitha mundësitë e saj vëllezërit e Azerbajxhanit, për të cilin ne veten tonë e shohim si “një komb, dy shtete”, tha Erdogan dhe shtoi: “Rruga e paqes së përhershme në këtë rajon kalon përmes tërheqjes së udhëheqjes armene nga çdo pëllëmbë e tokës azerbajxhanase që mban të pushtuar. Armeninë nuk do ta shpëtojnë as përpjekjet për të shpifur ndaj Turqisë. Ata që mbështesin këtë shtet hajdut (Armeninë) i paralajmëroj se do të japin llogari përpara ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit”, u shpreh Erdogan.

Ai ndaloi edhe tek lufta kundër terrorit dhe nënvizoi se operacionet do të vazhdojnë deri në shfarosjen e plotë të strofkave terroriste në kufirin e Irakut.

Ndërkaq ai bëri të ditur se Turqia nuk është për përplasje, tension, padrejtësi në Mesdhe dhe shtoi: “Ne mbrojmë të drejtat tona. Në lidhje me ndarjen e potencialit politik dhe ekonomik në Mesdhe preferenca jonë primare është zgjidhja e marrëveshjeve në bazën e drejtësisë”.

Duke deklaruar se Bashkimi Evropian është “skllavëruar” nga dy prej anëtarëve të tij të përkëdhelura, Greqia dhe administrata greke-qipriote dhe është bërë një strukturë “e paefektshme” dhe “e cekët”, Erdogan tha: “Nuk ka asnjë krizë në rajonin tonë që është zgjidhur me përfshirjen, iniciativën dhe peshën e BE-së. Madje përkundrazi, çdo krizë në të cilën Bashkimi Evropian ka ndërhyrë është përshkallëzuar me dimensione të reja”.

Kurse në lidhje me Palestinën Erdogan tha: “Është një nder që në emër të vendit dhe kombit tonë në çdo platformë të shprehim të drejtat e popullit palestinez”./TRT shqip/

Top Channel