Apeli i SHBA, Francës dhe Rusisë: Të ndalojnë luftimet

01/10/2020 15:46

Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni Karabakut.

Të dyja palët i kanë injoruar apelet e mëhershme të paqes dhe vazhdojnë shkëmbimin e zjarrit. Numri i të vdekurve ka shënuar rritje gjatë luftimeve më të ashpra që nga vitet 1990 rreth rajonit i cili është pjesë e Azerbajxhanit, por udhëhiqet nga banorët kryesisht etnikë armenë.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, presidentët Emmanuel Macron, Vladimir Putin dhe Donald Trump i kërkuan udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit që “të angazhohen pa vonesë për të rifilluar negociatat thelbësore, me mirëbesim dhe pa parakushte”, nën kujdesin e Grupit të Minskut të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), i cili ndërmjetëson në konflikt.

Më parë ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit kishte pohuar se forcat e saj kryen gjatë natës “sulme artilerie kundër pozicioneve të forcave armene në territoret e okupuara”.Separatistët etnikë armenë në Nagorno Karabak thanë që të dyja palët shkëmbyen zjarr artilerie, duke e përshkruar situatën përgjatë vijës së frontit si “të tensionuar”.Dy republikat sovjetike kanë zhvilluar një luftë për territorin më 1988-1994, e cila la rreth 30.000 të vdekur. Është ende e paqartë se çfarë i shkaktoi luftimet e fundit.

Top Channel